Shqipëria Postuar më 27 Mars 2026, 10:03

Si do të organizohen bastet online? - Kriteret e licencimit për kompanitë, miratohen vetëm 10 licenca

Nga Elisabeta Dosku

Si do të organizohen bastet online? - Kriteret e licencimit për

Qeveria i ka hapur zyrtarisht dritën jeshile zbatimit të ligjit për bastet sportive online.

Vendimi i miratuar nga Këshilli i Ministrave, përcakton kriteret e vlerësimit, afatet, procedurën e konkurrimit dhe metodologjinë e pikëzimit të subjekteve për dhënien e licencës për kategorinë e basteve sportive on-line, në përputhje me  ligjit  në fuqi.

Sipas vendimit, sa i takon  licencimit, dokumentacioni i paraqitur nga aplikantët vlerësohet me pikë, sipas kritereve dhe peshës maksimale për secilin kriter. Konkretisht oferta ekonomike apo vlera e ofruar nga aplikanti mbi tarifёn e licencimit për bastet sportive on-line, 30 pikë; Përvoja në fushën e lojrave të fatit, 30 pikë; Plani i biznesit për aktivitetin e basteve on-line, 5 pikë; Kapacitetet organizative dhe administrative, 20 pikë; Kapacitetet për zgjidhjen software-ike të përdorur, modelet e licencave, standardet apo certifikimet e njohura ndërkombëtare, 15 pikë.

Pikët maksimale që mund të marrë një propozim janë 100. Pas llogaritjes së pikëve për secilin propozim, subjekt aplikues renditen në rendin zbritës sipas pikëve që kanë marrë propozimet e tyre. Propozimi më i mirë i vlerësuar është propozimi që ka marrë më shumë pikë në vlerësim.  Në rast se dy ose më shumë propozime rezultojnë me pikë të njëjta, renditja e tyre përcaktohet me short.

Licenca i jepet subjektit aplikues që plotëson  kriteret e parashikuara në ligj dhe janë renditur në listën fituese sipas rendit zbritës të pikëve të marra.

Sipas vendimit, me anë të procedurës konkurruese bëhet përzgjedhja e subjektit/ve për dhënien e licencës për lejimin e organizimit të basteve sportive on-line, dhe numri i licensave totale në rang  kombëtar nuk do të jetë më shumë se 10.

Aplikimet paraqiten vetëm nga persona juridikë të regjistruar si shoqëri aksionare.  Aplikanti ka detyrimin ligjor të paguajë një tarifë aplikimi për aplikimin e tij në vlerën 500 mijë lekë në favor të AMLF-së, tarifë e cila nuk kthehet pavarësisht aplikimit të suksesshëm ose jo të subjektit aplikues.

Komisioni i Licencave dhe Autoriteti i Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit, përmes bëjnë vlerësimin e detajuar të aplikimeve dhe më pas dalin në një vendim për subjektet fituese.  Nëse kanë pakënaqësi, brenda 10  ditëve nga data e publikimit të njoftimit të fituesit subjektet pjesëmarrëse në konkurrim kanë të drejtë t’i paraqesin ankim me shkrim ministrit përgjegjës për financat për procedurën e zhvilluar.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat