Shqipëria Postuar më 11 Dhjetor 2025, 13:21

Si do të ndryshojë tregu i punës pas hyrjes në BE? - Hasalla: Sektori ka nevojë për përditësime europiane

Nga Diamila Leka

Si do të ndryshojë tregu i punës pas hyrjes në BE? -

Teksa Shqipëria synon të jetë sa më parë pjesë e BE, një nga sektorët që do hasë ndryshime do të jetë dhe tregu i punës. Në një intervistë për Scan Tv ekspertja e punësimit Gertjana Hasalla u shpreh se ky treg ka nevojë për përditësime.

“Tashmë çdo gjë ka nevojë për përditësime, veçanërisht aftësitë tona digjitale për të marrë pjesë dhe për të qënë pjesë e tregut të punës. Duhet të kemi kujdes se ka ndryshuar mënyra sesi tregu i punës funksionon në Bashkimin Europian, dhe do të ndryshoj dhe në Shqipëri. Nëse aspirojmë që në 5 apo 10 vite do bëhemi pjesë e Bashkimit Europian, në mos edhe më herët, do duhet të kujdesemi që Bashkimi Europian në vetvete po punon shumë me ekonominë e gjelbër. Çka do të thotë kjo. Ekonomia e Gjelbër në vetete janë të gjitha ato punë që janë të lidhura me mbrojtjen e mjedisit por edhe me përdorimin e tij në mënyrë të ndërgjegjshme.”

Hasalla vijon të theksojë se fokusi i punësimit duhet drejtohet drejt ekonomisë së gjelbër, si dhe formatit hybrid të punës.  

“Pra të gjithë inxhinierët e mjedisit, gjithçka që ka lidhje me panelet diellore, dhe çdo gjë tjetër që ka lidhje me mbrojtjen e mjedisit, janë profesione që do kërkohen gjithnjë e më tepër dhe nëse ka diçka që po e bën shumë Bashkimi Europian sot për sot, të gjitha vendet që janë pjesë e tij, është ajo që quhet puna në distancë, ose puna me orar të reduktuar në ambientet e zyrës. Shumë shpesh, kompanitë në Bashkimin Europian, po zgjedhin që punonjësit e tyre të japin mundësinë që të punojnë dy ditë në zyrë dhe tre ditë të punojnë në ambientet e shtëpisë, ose në ambientet e tjera. Ndërkohë, ka kompani të tjera, që zgjedhin edhe ditët e punës, që është 4 ditë në javë, që është një arritje gjithashtu që është shumë shpejt akoma për Shqipërinë, por është diçka që ndoshta duhet të shikohet në të ardhmen dhe në këtë harkun kohor të 5-10 vitesh do jetë patjetër mundësia që edhe për kompanitë në Shqipëri, të fillojnë të ofrojnë punë me orar të reduktuar në zyrë, ose punë 4 ditë në javë.”

Sipas ekspertes Hasalla, ky format hibrid pune nuk është i largët edhe për Shqipërinë, pasi sipas saj ky është edhe trendi që ne po shkojmë përsa i përket tregut të punës.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat