Shqipëria Postuar më 29 Qershor 2026, 10:41

Si do të llogaritet taksa e re e pronës? - Afatet/ Kush nuk paguan, nuk merr shërbime në bashki, kadastër dhe QKB

Nga Elisabeta Dosku

Si do të llogaritet taksa e re e pronës? - Afatet/ Kush nuk paguan,

Taksa e re për ndërtesat, parcelat ndërtimore, tokat bujqësore dhe blegtorale si dhe ato pyjore, do të llogaritet nga bashkia për çdo pasuri të paluajtshme që i nënshtrohet taksimit në territorin e saj.

Sipas nenit 18 të projektligjit për taksimin e pasurisë së paluajtshme, taksa llogaritet si shumëzim i vlerës së taksueshme të pasurisë së paluajtshme me shkallën e zbatueshme të taksës dhe i njoftohet taksapaguesit përmes njoftimit të vlerësimit të taksës mbi pasurinë e paluajtshme. Llogaritja bëhet duke marrë parasysh përqindjen e caktuar, ku për ndërtesat për banim është 0,1% - 0,2%; për tokën bujqësore, blegtorale dhe pyjore 0,05% - 0,15% ;  për bizneset 0,15% - 0,25% dhe për tokë truall 0,075% - 0,175%.

Bashkia gjeneron njoftimet e vlerësimit të taksës mbi pasurinë e paluajtshme, përmes sistemit informatik të kadastrës fiskale (SIKF), jo më vonë se data 7 mars e çdo viti tatimor.

Ndërsa referuar nenit 19, taksa mbi pasurinë e paluajtshme dhe gjoba, nëse ka të tillë, paguhet në dy këste të barabarta, deri më 30 qershor dhe 30 shtator të vitit tatimor. Taksapaguesi mund të paguajë, në çdo kohë përpara afatit të pagesës së këstit të parë, shumën totale të taksës dhe të gjobës, nëse ka të tillë.

Neni 21 i projektligjit parashikon masa ndëshkuese deri në pezullim të shërbimeve për individët që nuk paguajnë taksën e pasurisë së paluajtshme. Konkretisht, debitorit që nuk ka paguar plotësisht detyrimet e papaguara tatimore, nuk i ofrohen shërbime të caktuara bashkiake, deri në shlyerjen e plotë të këtyre detyrimeve. Shërbimet që pezullohen nga Bashkia për zbatimin e kësaj pike, përcaktohen me vendim të Këshillit Bashkiak.

Po ashtu përpos mungesë së shërbimeve në bashki, qytetarëve nuk do t’u ofrohen shërbime nga institucionet qendrore Agjencia Shtetërore e Kadastrës; Agjencia e Zhvillimit të Territorit; Qendra Kombëtare e Biznesit; Drejtoria e Shërbimeve Publike të Transportit Rrugor.

Nuk pezullohen vetëm shërbimet që kanë të bëjnë me dhënien e informacionit zyrtar, si dhe lëshimin e kopjeve të dokumenteve ose të vërtetimeve.

Për të përfituar shërbimet, debitorët duhet të paraqesin pranë institucionit përkatës ose drejtorisë përkatëse në bashki, një vërtetim të lëshuar nga struktura përgjegjëse për taksën mbi pasurinë e paluajtshme në Bashki, që dëshmon shlyerjen e plotë të detyrimeve tatimore të papaguara.

Nëse shërbimi i kërkuar lidhet me pasuri të paluajtshme të caktuara që debitori ka në pronësi, posedon, përdor ose po zhvillon, është i mjaftueshëm vërtetimi që dëshmon shlyerjen e detyrimeve tatimore të papaguara vetëm për ato pasuri. Për të gjitha shërbimet e tjera që nuk lidhen me pasuri të caktuara, është e nevojshme paraqitja e një vërtetimi që dëshmon shlyerjen e të gjitha detyrimeve tatimore të papaguara që ka debitori.

Zbatimi i taksës së re të bazuar në vlerën e tregut, do të realizohet në dy faza, fillimisht për ndërtesat dhe më pas për tokën. Zbatimi do të fillojë në 2029, për njësitë e ndërtesave dhe në 2031, për parcelat.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat