Shqipëria Postuar më 8 Janar 2026, 11:21

Si do të blihen kompanitë e listuara? - Projektligji, për konsultim/ Synohen çmime të drejta dhe barazi për aksionarët

Nga Ledina Elezi

Si do të blihen kompanitë e listuara? - Projektligji, për

Ndryshime të reja janë propozuar në ligjin që rregullon mënyrën se si blihen dhe merren nën kontroll kompanitë e listuara në Shqipëri. Bëhet fjalë për kompanitë që shesin aksione publikisht dhe që mund të blihen nga investitorë të mëdhenj, vendas apo të huaj.

Me këtë projektligj, synohet që rregullat shqiptare të bëhen të njëjta me ato të Bashkimit Evropian. Autoritetet thonë se kjo është e nevojshme për të rritur besimin në treg dhe për ta bërë Shqipërinë më tërheqëse për investime.

Në thelb, ligji ka të bëjë me mbrojtjen e qytetarëve që zotërojnë aksione, edhe kur kanë pak prej tyre. Nëse një kompani ose investitor kërkon të blejë shumicën e aksioneve dhe të marrë kontrollin, ai duhet t’u bëjë ofertë të barabartë të gjithë aksionarëve dhe me një çmim të drejtë.

Një nga ndryshimet kryesore është se, nëse blerësi paguan më shumë për disa aksione gjatë ofertës, atëherë i njëjti çmim duhet t’u paguhet të gjithëve. Kjo bëhet për të shmangur marrëveshjet e fshehta dhe për të garantuar barazi.

Projektligji rrit edhe transparencën. Kushdo që bën një ofertë, duhet të shpjegojë qartë se sa paguan, pse është ky çmim dhe si është llogaritur. Vendimi final për pranimin ose jo të ofertës i takon aksionarëve, jo bordeve drejtuese.

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare merr më shumë fuqi për të mbikëqyrur procesin dhe për të ndërhyrë kur ka abuzime ose situata të pazakonta. Gjithashtu, procedurat thjeshtohen për investitorët e huaj, pasi dokumentet e miratuara në vendet e Bashkimit Evropian do të njihen edhe në Shqipëri.

Sipas qeverisë, ligji nuk sjell kosto për buxhetin e shtetit, por pritet të ndihmojë zhvillimin e tregut të kapitaleve dhe afrimin e vendit me standardet evropiane.

Disa nga rregullat do të hyjnë në fuqi menjëherë, ndërsa të tjerat do të zbatohen kur Shqipëria të anëtarësohet në Bashkimin Evropian.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat