Shqipëria Postuar më 20 Janar 2025, 14:11

Si do jenë marrëdhëniet Shqipëri-SHBA me Trump në krye? - Visha: Bashkëpunim më i ngushtë, sidomos në fushën e investimeve

Nga Ledina Elezi

Si do jenë marrëdhëniet Shqipëri-SHBA me Trump në krye?

Me betimin e Donald Trump si president i 47-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përveçse hapet një kapitull i ri në historinë e SHBA-së dhe atë botërore, hapet edhe një fazë e dytë bashkëpunimi me Shqipërinë.

Sipas Valmir Vishës, marrëdhëniet politike dhe ekonomike me SHBA-në pritet të forcohen edhe më shumë në vijim, sidomos në fushën e investimeve.

“Patjetër që do të ketë një riformatim të marrëdhënieve me Shqipërinë, ne jemi një aleat strategjik me SHBA-në, kemi pasur marrëdhënie të mira. Mendoj që ardhja e Trump në pushtet do të forcojë Shqipërinë në pjesën ekonomike dhe në pjesën politike. Të marrim edhe pjesën e investimeve që dhëndri i Trump po bën në ishullin e Sazanit, mendoj që do të ketë një impakt jo vetëm pozitiv në aspektin ekonomik, por edhe në imazhin e Shqipërisë. Shqipëria do të ketë investitorë të huaj seriozë që do të sjellin të ardhura jo vetëm për investitorët strategjikë, por edhe për ne popullin dhe për turizmin në Shqipëri”.

Për sa i përket ndikimit që do ketë në rajon, Visha u shpreh se SHBA do të jetë një faktor kyç për zgjidhjen e tensioneve aktuale.

“Mendoj që në Ballkan, pika e nxehtë është mosmarrëveshja ose konflikti në pjesën e veriut të Kosovës, pjesa e Mitrovicës së Veriut. Mendoj që ardhja e Trump, atë që e nisi në mandatin e parë, mendoj që do ta përfundojë, uroj që kjo gjë të mbyllet në mënyrën më të mirë për ne si komb, për shqiptarët. Një konflikt në Ballkanin Perëndimor është një konflikt në dyert e Evropës dhe do paraqitet gjithmonë edhe në Bashkimin Evropian, prandaj SHBA-ja do të ketë një fokus të veçantë dhe për Ballkanin Perëndimor, kryesisht te konflikti në veriun e Kosovës, po ashtu edhe në marrëdhëniet me Shqipërinë. Duhet të kemi mekanizmat e duhur për të lobuar në institucionet ndërkombëtare, sepse mundësia për t'u ulur me njerëz të mëdhenj të politikës botërore, ne e dimë që për shtetet e vogla është e rrallë dhe e limituar”.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës vijon të mbetet një partner i rëndësishëm për Shqipërinë, si në aspektin ekonomik, për sa i përket shkëmbimeve tregtare dhe investimeve, ashtu edhe në atë politik, për sa i takon forcimit të institucioneve demokratike dhe sundimit të ligjit.

 

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat