Shqipëria Postuar më 12 Mars 2026, 12:50

Si do bëhet kompensimi i kontributeve për kompanitë? - Vendimi/ 9 muaj subvencion për amortizimin e pagës minimale. Aplikimet nisin më 1 Prill

Nga Elisabeta Dosku

Si do bëhet kompensimi i kontributeve për kompanitë? - Vendimi/ 9

Qeveria do të japë kompensim financiar çdo muaj, për periudhën kontributive janar–shtator 2026, për kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore të punëdhënësit për subjektet që preken nga rritja e pagës minimale.

Referuar vendimit të botuar në Fletoren Zyrtare, kompensimi financiar llogaritet dhe jepet bazuar në numrin maksimal të të punësuarve me fashën e pagës bruto, nga 40,000 lekë deri në 49 999 lekë, që figurojnë në  listëpagesën e deklaruar në organet tatimore për muajin shtator 2025, për përditësimin më të fundit të bërë gjatë vitit 2025.

Kompensimi financiar për subjektet jepet çdo muaj, për periudhën kontributive janar–shtator 2026, nga Drejtoria Rajonale e Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive (DRAKPA), ku kanë adresën e vendit, në të cilin zhvillohet pjesa kryesore e veprimtarisë tregtare.

Subjektet me të drejtë aplikimi, që përfitojnë, duhet të plotësojnë disa kritere të caktuara si:  të mos kenë një punonjës në total të regjistruar në listëpagesë; të mos jenë subjekte në pronësi shtetërore apo ente publike; ë mos jenë subjekte të regjistruara në statusin e sigurimeve, si i vetëpunësuar;  të mos kenë detyrime (principal) ndaj organeve tatimore për kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore në momentin e aplikimit.

Subjektet duhet të aplikojnë në mënyrë elektronike nëpërmjet portalit “e-Albania” për periudhën që kërkojnë kompensim, duke filluar nga data 1 prill 2026 deri më 31 tetor 2026.

Kompensimi financiar për kompanitë do të jepet në masën e kontributeve shoqërore dhe shëndetësore të punëdhënësit, 16.7%, llogaritur mbi diferencën e pagës së çdo punonjësi me pagë bruto, nga 40 000 lekë deri në 49 999 lekë në shtator 2025, me pagën 50 000 lekë.

Për subjektet, të cilat në muajin që kërkojnë kompensim kanë reduktuar numrin e punonjësve total në më pak se numri i punonjësve me pagë bruto, nga 40 000 lekë deri në 49 999 lekë në shtator 2025, kompensimi financiar jepet mbi shumën mesatare të fondit që do të përfitonte për punonjës, në rast mosreduktimi të numrit të punonjësve,  shumëzuar me numrin aktual të punonjësve në total.

Verifikimi i aplikimit kryhet nëpërmjet ndërveprimit elektronik të sistemeve dhe shpërndarja për përfituesit e këtij vendimi bëhet nga drejtoritë rajonale të AKPA-së.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat