Shqipëria Postuar më 27 Shkurt 2026, 12:30

Si bëhet rivlerësimi për pronat pa tituj pronësie? - Individët mund të humbasin pagesat kur u refuzohet regjistrimi i titullit

Nga Elisabeta Dosku

Si bëhet rivlerësimi për pronat pa tituj pronësie? -

Procedura e aplikimit por edhe e pasqyrimit për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme me normën tatimore 5 % nuk do të jetë e njëjtë për të gjithë qytetarët. Kompleksiteti i saj lidhet me faktin nëse një pasuri ndodhet në një zonë ku është kryer regjistrimi fillestar i pronave apo jo dhe nëse gëzon apo jo titullin e pronësisë.

Konkretisht, çfarë parashikon udhëzimi?

Kur pasuria e paluajtshme, objekt rivlerësimi, figuron e regjistruar në regjistrat kadastralë dhe ndodhet në një zonë që i është nënshtruar procesit të regjistrimit fillestar, pasqyrimi i rivlerësimit të pasurisë kryhet në seksionin “A” të kartelës së pasurisë. Në këtë seksion do të regjistrohet data e rivlerësimit të pasurisë së paluajtshme, shuma e rivlerësimit dhe arkivohet dokumentacioni në referencën përkatëse.

Por situata ndryshon ku bëhet fjalë për një pasuri të paluajtshme, objekt rivlerësimi,  që ndodhet në një zonë e cila i është nënshtruar regjistrimit fillestar, por që nuk figuron e regjistruar në regjistrin kadastral.

Në këtë rast individi fillimisht duhet të aplikojë nëpërmjet portalit unik qeveritar e-Albania për regjistrimin e kësaj pasurie, në përputhje me parashikimet e ligjit e vitit 2018, “Për kadastrën”, dhe vendimin e qeverisë të viti 2020, “Për miratimin e listës dhe tarifave të shërbimeve kadastrale”, të ndryshuar, duke depozituar titullin e pronësisë dhe dokumentacionin provues për regjistrim. Vetëm pas regjistrimit të kësaj pasurie në regjistrin kadastral, subjektit i lind e drejta të aplikojë për rivlerësimin e kësaj pasurie.

Nga ana tjetër kur pasuria e paluajtshme, objekt rivlerësimi, gjendet në një zonë kadastrale që nuk i është nënshtruar procesit të regjistrimit fillestar, procedohet me pasqyrimin e vlerës së rivlerësimit në regjistrin përkatës hipotekar apo në kartelat jopërfundimtare, duke pasqyruar datën e rivlerësimit të pasurisë së paluajtshme, shumën përkatëse të rivlerësimit dhe referencën arkivore përkatëse.

Në përfundim të procesit të regjistrimit fillestar, shënimet e mësipërme të rivlerësimit pasqyrohen në kartelat e pasurive të paluajtshme, produkt i këtij procesi, në rastet kur titulli i pronësisë konstatohet se është në përputhje me ligjin.

Por në rastet kur refuzohet regjistrimi i titullit të pronësisë,  sipas ligjit në fuqi  dhe individi nuk bëhet pronar ligjor i saj, vlera e rivlerësimit nuk pasqyrohet në kartelën e pasurisë së paluajtshme dhe shuma përkatëse nuk i kthehet individit.

E thënë ndryshe, në këtë rast individi mund të shpenzojë para për rivlerësimin por mund të mos e përfitojë atë. 

Shqipëria 27 Shkurt Edel Strazimiri

Si është mbyllur kjo javë për valutat kryesore?

Dollari amerikan e ka mbyllur këtë javë negativisht duke humbur sërish pikë këtë mëngjes në raport me ditën e djeshme teksa është blerë sot me 81.1 lekë dhe......

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat