Shqipëria Postuar më 26 Shtator 2025, 12:31

“Shtrëngohen” procedurat për investimet publike - Lista unike/ Studim fisibiliteti i plotë për çdo projekt që kalon 50 mln lekë

Nga Elisabeta Dosku

“Shtrëngohen” procedurat për investimet publike - Lista

Qeveria ka vendosur që të forcojë rregullat për projektet e investimeve publike në vend. Referuar udhëzimit të Ministrisë së Financave, të botuar në Fletoren Zyrtare, tashmë çdo propozim për projekt investimesh publike, që ka vlerë të plotë mbi kufirin e përcaktuar me udhëzim të ministrit të Financave, për t’u përfshirë në Listën Unike të Projekteve me Rëndësi Kombëtare, duhet të shoqërohet me studim të  plotë të fizibilitetit.

Ndërsa çdo propozim për projekt investimesh  publike, që ka vlerë të plotë brenda kufijve financiarë  të përcaktuar me udhëzim të ministrit të Financave,  duhet  të shoqërohet me studimin e thjeshtuar të  fizibilitetit.

Sipas udhëzimit ekzistues të Ministrisë së Financave, lista e unike e projekteve publike në Shqipëri është një bazë e të dhënave ku regjistrohen të gjitha projektet e investimeve publike nga buxheti i shtetit, tek donatorët dhe partenritetet publike-private. Qeveria ka përcaktuar një kufi minimal monetar të projekteve që përfshihen në këtë listë i cili është në nivelin e 50 milionë lekëve .

Ky kufi vlen për projektet e reja që kryesisht propozohen nga ministrisë, bashkitë dhe institucionet e tjera publike. Më këtë udhëzim synohet të rritet niveli i transparencës në përgatitjen e propozimeve dhe pritshmëritë nga realizimet e projekteve,  si dhe një vlerësim dhe monitorim më i mirë i impaktit të tyre.

Aktualisht, investime madhore në Shqipëri janë pjesë e Listës Unike të Projekteve me Rëndësi Kombëtare.   Lista përmban projektet e investimeve publike, të cilat paraqesin rëndësi strategjike për sa i përket zhvillimit ekonomik dhe social të vendit, pavarësisht nga burimi i tyre i financimit.

Lista e publikuar në Fletoren Zyrtare si pjesë e dokumentit të politikave prioritare 2026-2028, i ka të kategorizuara projektet të cilat kapin vlera të konsiderueshme monetare, sipas nivelit të prioritetit që kanë në A, B dhe C, si dhe të ndara në kategori, të maturuar, pjesërisht të maturuar dhe të pamaturuar.

Projektet e matuarara, konsiderohen ato projekte për të cilat është kryer studimi i fisibilitetit dhe është konsideruar fisibël, ose kur projekti është në fazë të avancuar të përpilimit të dokumenteve teknike.

Në këtë status janë 52 projekte të tilla, në të gjithë sektorët se ekonomisë, si në infrastrukturë, energji,  mjedis, shëndetësi, arsimit, zhvillimit ekonomik,  zhvillimi rajonal, drejtësi, etj.

Projektet, të cilat janë maturuar në Listën Unike të Projekteve me Rëndësi Kombëtare dhe nuk janë buxhetuar brenda tri viteve nga kryerja e studimit të fisibilitetit, për t’u buxhetuar, duhet të rishikojnë studimin e fisibilitetit. Projektet e investimeve publike të miratuara në Listën Unike të Projekteve me Rëndësi Kombëtare përfshihen në listë deri në sigurimin e plotë të vlerës së financimit.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat