Shqipëria Postuar më 2 Gusht 2025, 11:38

Shtimi i fluksit turistik nxit blerjen e pasurive nga të huajt - BSH: Blerjet e shtëpive nga të huajt zënë 29% të totalit të IHD-ve

Nga SCAN TV

Shtimi i fluksit turistik nxit blerjen e pasurive nga të huajt - BSH:

Në tre muajt e parë të këtij viti, fluksi i Investimeve të Huaja Direkte në aktivitetin e pasurive të paluajtshme arriti në 104 milionë euro. Shifra është publikuar nga Banka e Shqipërisë e cila përllogarit që krahasuar me periudhën e mëpashme rritja është 24%.

Ky nivel investimi në vetëmn tre muaj është i dyti më i larti që pas tremujorit tetor-dhjetor 2024, kur treguesi arriti në 110 milionë euro.

Për shkak të flukseve të larta turistike Shqipëria është bërë një treg interesant për blerjen e pasurive të paluajtshme nga të huajt. Këtë e shpjegon fakti se blerjet më të larta janë në bregdet. Kjo është e nxitur edhe nga fakti se çmimet në bregdetin shqiptar janë më të lira se në vendet e tjera të rajonit.

Në vitin 2024, të huajt blenë prona me vlerë rreth 380 milionë euro. Që nga viti 2021, kur filloi interesi i huajve, kryesisht në bregdetin shqiptar, deri në mars 2025, të huajt kanë blerë rreth 1.3 miliardë euro prona në vend, sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, që i llogarit këto flukse si investime të huaja direkte në sektorin e pasurive të paluajtshme.

Rëndësia e investimeve në pasuri të paluajtshme në raport me totalin e investimeve në vend është rritur ndjeshëm. Në vitin2014, blerjet e pronave nga të huajt zinin vetëm 5.7% të investimeve të huaja, ndërsa në 2024-n, kjo peshë u rrit në 24%. Rekordi u shënua në tremujorin e parë të këtij viti, ku blerjet e shtëpive nga të huajt zunë gati 29% të totalit të fluksit të investimeve të huaja në vend.

Në vend të dytë ishin Aktivitete financiare dhe të sigurimit, me 75 milionë euro, pothuajse njësoj me një vit më parë, duke zënë 20.7% të totalit. Industria nxjerrëse tërhoqi 51 milionë euro në tremujorin e parë, pothuajse njësoj sa një vit më parë.

Në industrinë përpunuese, investimet zbritën në 32 milionë euro, me tkurrje 24% me bazë vjetore. Investimet në Tregtia me shumicë dhe me pakicë u rritën me 28% në 32 mln euro. Në total, investimet e huaja direkte në tremujorin e parë të vitit ishin 362 milionë euro.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat