Shqipëria Postuar më 10 Dhjetor 2025, 10:46

Shteg i ri turistik në Dumre - Synohet rritje e aksesit dhe vizitorëve

Nga Ernilda Luzi

Shteg i ri turistik në Dumre - Synohet rritje e aksesit dhe vizitorëve

Bashkia Belsh ka shpallur hapjen e garës krijimin e shtegut turistik Liqeni i Degës – Liqeni i Çestijes – Liqeni Merhojës dhe Kompleksi Dumrea Eco Park në Marinëz. Fondi limit i përllogaritur është 16 milionë e 116 mijë lekë.

Sipas dokumentit në Agjencinë e Prokurimit Publik, ky projekt ka për qëllim ndërtimin e një shtegu turistik me gjatësi totale 3 kilometra, që do të shërbejë si rrugë lidhëse midis zonave turistike Eco Park, Liqeni i Degës dhe Liqeni i Paraskës. Shtegu do të ketë një gjerësi prej 3 metrash dhe është konceptuar për përdorim të përbashkët nga këmbësorë, biçikleta dhe mjete të vogla të mirëmbajtjes.

Dumreja është e njohur për peizazhin e saj të veçantë natyror, të ndërtuar nga një seri liqenesh karstike të shpërndara në gjithë territorin, të cilat përbëjnë një aset të rëndësishëm për zhvillimin e turizmit natyror dhe ekologjik.

Referuar dokumentit, rruga turistike e planifikuar lidh tre pika me interes të lartë rekreativ – Eco Park, Liqenin e Degës dhe Liqenin e Paraskës. Aksesueshmëria ekzistuese është e kufizuar, ndaj ndërtimi i këtij shtegu synon përmirësimin e ndjeshëm të lidhjes midis këtyre zonave natyrore, duke krijuar një itinerar të qëndrueshëm dhe të përshtatshëm për vizitorë e banorë vendas.

Projekti parashikon gjithashtu vendosjen e sinjalistikës orientuese e informuese për turistët dhe vizitorët, si dhe rehabilitimin e anësive të rrugës me elementë natyrorë dekorativë, duke siguruar qëndrueshmëri, siguri dhe integrim estetik me mjedisin përreth.

Ndërtimi i këtij shtegu do të ketë një ndikim të dukshëm pozitiv në komunitetin lokal dhe në zhvillimin ekonomik të zonës. Rruga do të mundësojë një akses më të mirë drejt pikave turistike, duke nxitur rritjen e fluksit të vizitorëve dhe krijimin e mundësive të reja për zhvillimin e aktiviteteve turistike, agroturizmit dhe shërbimeve mbështetëse.

Gjatë fazës së ndërtimit do të krijohen vende pune për banorët e zonës, ndërsa pas përfundimit të punimeve, përmirësimi i infrastrukturës do të ndikojë në rritjen e vlerës së pronave dhe në fuqizimin e lidhjeve sociale midis komuniteteve. Punimet do të realizohen në përputhje me parimet e mbrojtjes së mjedisit, duke ruajtur karakterin natyror të peizazhit.

Ndërtimi i shtegut turistik Eco Park – Liqeni i Degës – Liqeni i Paraskës, do të kontribuojë në forcimin e identitetit turistik të zonës së Dumresë dhe në përmirësimin e cilësisë së jetës për komunitetin lokal, thuhet në dokument.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat