Shqipëria Postuar më 16 Janar 2025, 15:02

Shqiptarët tërhoqën më shumë para’ nga bankomati - BSH: Në janar-nëntor 2024 u tejkalua rekordi i transaksioneve të vitit 2023

Nga Ledina Elezi

Shqiptarët tërhoqën më shumë para’ nga bankomati

Pavarësisht se në nëntor ka pasur një rënie të transaksioneve të realizuara përmes bankomateve, në 11 muaj është tejkaluar rekordi i vitit 2023. Në periudhën janar-nëntor 2024 janë tërhequr dhe depozituar më shumë para përmes bankomateve se në vitin pararendës.

Në fund të njëmbëdhjetëmujorit llogaritet që nga ATM-të të jenë tërhequr gjithsej 340 miliardë lekë, ndërsa janë depozituar rreth 45 miliardë.

Të dhënat më të fundit nga Banka e Shqipërisë tregojnë se në muajin nëntor janë realizuar 1.8 milionë tërheqje dhe depozitim parash me kartë përmes ATM-ve, ku 1.7 milionë veprime ishin vetëm për tërheqje, ndërsa 94 mijë transaksione depozitim. Numri i depozitimeve vijon të jetë tepër i vogël, sepse ka ende disa banka të nivelit të dytë që në ATM-të e tyre nuk përfshijnë depozitimin e parave, një shërbim ky mjaft i kërkuar nga qytetarët, që herë pas here i detyron të presin në radhët e gjata të bankave për të realizuar këtë transaksion të thjeshtë.

Nga ana tjetër, për sa i takon vlerës së transaksioneve, është regjistruar në 32 miliardë lekë shuma e tërhequr nga shqiptarët në muajin nëntor, ndërkohë që shuma e depozituar ka qenë vetëm 4.2 miliardë. Si pasojë e numrit më të vogël të transaksioneve, edhe vlera totale e veprimeve ka qenë më e ulët.

Në tremujorin e tretë ka pasur edhe një shtim të numrit të bankomateve. Më shumë ATM të instaluara rrit aksesin e qytetarëve në shërbime bankare.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat