Shqipëria Postuar më 19 Shkurt 2025, 14:08

Shqiptarët tërhoqën 378 mld lekë nga bankomatët-BSH: 2024 shënoi rritjen më të madhe të numrit të ATM-ve në 4 vitet e fundit

Nga Ledina Elezi

Shqiptarët tërhoqën 378 mld lekë nga bankomatët-BSH:

Vitet e fundit, numri i bankomatëve është rritur me një ritëm shumë të shpejtë në të gjithë vendin. Aktualisht, në Shqipëri numërohen 1011 bankomatë, ku vetëm gjatë vitit të kaluar rezultojnë të jenë shtuar rreth 98 ATM ose 9.3% më shumë se në 2023. Por me rritjen e numrit të bankomateve, a janë tërhequr edhe më shumë para?

Të dhënat më të fundit nga Banka e Shqipërisë tregojnë se në vitin që lamë pas janë realizuar rreth 23 milion tërheqje me kartë përmes ATM-ve. Gjatë 2024, shqiptarët kanë tërhequr 378 miliardë lekë në total, rreth 13.2% më tepër se në vitin pararendës.

Përveç tërheqjes, disa ATM përfshijnë edhe funksionin e depozitimit të parave. Sipas statistikave zyrtare, bankomatet për depozitim parash kanë pësuar një rritje me 7%.  Pavarësisht se ATM-të që përfshijnë edhe depozitimin e parave janë rritur në vitet e fundit, sërish numri i tyre mbetet  tepër i vogël në krahasim me ato që shërbejnë edhe për tërheqje. Sipas të dhënave, qytetarët kanë depozituar 50 miliardë lekë në llogarinë e tyre përmes bankomatit.

Në 4 vitet e fundit, 2024 ka shënuar rritjen më të madhe të numrit të ATM-ve. Llogaritur me vitin 2021, aktualisht numërohen 189 bankomate më shumë. Por, si janë të shpërndara ato sipas rajoneve?

Tirana, Gjirokastra dhe Shkodra janë 3 rajonet që kanë numrin më të madh të ATM-ve, ndërsa në secilin prej rajoneve të tjera numërohen më pak se 100 bankomate. Duke qenë se popullsia dhe aktiviteti ekonomik është i përqendruar më shumë në Tiranë, kryeqyteti rezulton me 586 të tillë gjithsej, ndjekur në vend të dytë nga Gjirokastra me 126.

Shtimi i numrit të bankomateve në të gjithë vendin, rrit edhe më tepër aksesin e qytetarëve në shërbimet bankare.

 

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat