Shqipëria Postuar më 22 Prill 2025, 10:06

Shqiptarët qarkullojnë me makina të vjetra! - Në vitin 2024 paguan 65 milionë euro taksa mbi automjetet e përdorura

Nga Elisabeta Dosku

Shqiptarët qarkullojnë me makina të vjetra! - Në vitin 2024

Qytetarët shqiptarë preferojnë të blejnë dhe të përdorin më së shumti një automjet të përdorur se sa një të ri. Këtë e vërteton edhe fakti se bizneset e shitjes së makinave të importuara nga jashtë janë zgjeruar ndjeshëm dhe tashmë përpos tregjeve tradicionale si Italia, Zvicra dhe Gjermania, po dominon tregun Korea e Jugut, për shkak se mund të importosh një makinë me vit prodhimi më të ri dhe me një çmim më të arsyeshëm. Nga ana tjetër kjo lidhet ndjeshëm edhe me arsye ekonomike dhe pamundësinë për të përballuar një automjet të blerë në koncesionar.

Të dhënat zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, tregojnë se qytetarët shqiptarë kanë paguar 65 milionë euro taksë mbi automjetet e përdorura përgjatë vitit 2024, nga 59 milionë euro të paguara një vit më parë, duke shënuar një rritje me 10.6 %.

Taksa e automjeteve të përdorura është vjetore dhe llogaritet në bazë të llojit të automjetit, të vjetërsisë, lëndës djegëse  dhe cilindratës së motorit.

Sa më i vjetër të jetë një automjet dhe sa më e madhe të jetë cilindrata e motorit, aq më e lartë është taksa e vjetore që duhet paguar.

Përjashtohen nga pagimi i taksës vjetore të mjeteve të përdorura: mjetet në pronësi të ambasadave dhe organizatave ndërkombëtare që gëzojnë status diplomatik, mjetet e bllokuara me vendim të organeve të drejtësisë, mjetet me ç'regjistrim të përkohshëm, autoveturat në zotërim të invalidëve,  makinat bujqësore.

Përgjatë vitit 2024 rezultojnë 99.441 mjete të regjistruara për herë të parë, nga të cilat 83.223 autevotura,  53.6 % e tyre janë me moshë 9-15 vite dhe 26.1% mbi 15 vite. Ndërsa automjetet e reja deri në 8 vite zënë një përqindje shumë të ulët.

Detyrimi për pagesën e Taksës Vjetore të Automjeteve të Përdorura i përket pronarit të mjetit dhe duhet të jetë paguar përpara se të kryhet kontrolli teknik i mjetit.

Pronari i mjetit, i cili nuk kryen pagesën e kësaj takse brenda 10 ditëve nga përfundimi i afatit të vlefshmërisë së parashikuar do të paguajë një kamatvonesë të barabartë me 0,06% të shumës së detyrimit të papaguar për çdo ditë që nuk është paguar taksa. 

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat