Shqipëria Postuar më 2 Shtator 2025, 13:44

Shqiptarët po përdorin më shumë karta bankare/ BSH: Bankat lëshuan 1.8% më tepër në tremujorin e dytë, kryesisht debiti

Nga Ledina Elezi

Shqiptarët po përdorin më shumë karta bankare/ BSH: Bankat

Shqiptarët po mbajnë në xhep më tepër karta bankare se para fizike. Të dhënat më të fundit nga Banka Qendrore tregojnë se në Shqipëri qarkullojnë më tepër se 1.5 milionë karta bankare me më shumë se një funksion.

Rreth 95% e kartave janë me funksion pagese, ndërsa 5% me funksion paraje elektronike, e thënë ndryshe gati 1.5 milionë dhe 76 mijë. Nga kartat që shërbejnë për kryerjen e pagesave, 1.3 milionë ose 87.6% e tyre janë karta debiti, ndërsa 118 mijë ose 7.5% janë karta krediti.

Në krahasim me tremujorin e parë, totali i kartave bankare në qarkullim është shtuar me 1.8%. Ndikimin më të madh në këtë rritje e kanë dhënë kartat me funksion debiti, të cilat në periudhën prill-qershor kanë pësuar një rritje me 1.8%, ndërkohë që kartat e kreditit janë rritur në një masë shumë më të vogël, vetëm me 1%.

Për sa i përket llojit të kartës, VISA dhe Mastercard janë të vetmet që përdoren në vendin tonë, ndërkohë që kartat lokale dhe American Express nuk emetohen më që prej 2022-it.

Kështu, tregu i kartave bankare në Shqipëri dominohet nga ndërkombëtaret VISA dhe MasterCard, të cilat kanë bërë një ndarje thuajse të barabartë të përqindjes së kartave që zotërojnë në treg. Të dhënat nga Banka e Shqipërisë tregojnë se gati 51% e kartave në Shqipëri janë VISA, ndërkohë që 49% janë MasterCard.

Një numër më i lartë i kartave bankare është tregues i rritjes së përfshirjes financiare, por gjithashtu një tregues i orientimit të qytetarëve për nga pagesat elektronike dhe reduktimit të parasë cash në ekonomi, i cili është dhe një ndër objektivat që Banka e Shqipërisë synon të arrijë.

Me një kartë bankare, çdokush ka akses të menjëhershëm në fondet e veta. Qoftë për të bërë një blerje, paguar faturat apo tërhequr para, një kartë të lejon ta bësh këtë në mënyrë të sigurt, pa pasur nevojë të mbash para në dorë apo  të vizitosh një degë banke.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat