Shqipëria Postuar më 28 Tetor 2025, 12:48

Shqiptarët, ndër të fundit në Evropë për home banking - Eurostat: Vetëm 18.5% e popullsisë e përdor internetin për transaksione nga telefoni

Nga Ledina Elezi

Shqiptarët, ndër të fundit në Evropë për home

Pavarësisht se nga viti në vit është rritur numri i shqiptarëve që zgjedhin të kryejnë veprime bankare përmes aplikacioneve apo faqeve online të bankave, ne vijojmë të jemi ndër të fundit në Evropë për sa i përket përqindjes së popullsisë që e përdorin internetin për këtë qëllim.

Sipas të dhënave nga Agjencia Evropiane e Statistikave (Eurostat), vetëm 18.5% e shqiptarëve e përdorin internetin për të marrë shërbime bankare online. Shqipëria bashkë me Malin e Zi renditen të fundit në rajon dhe Evropë për sa i takon përdorimit të home banking.

Në Ballkanin Perëndimor, Maqedonia e Veriut pozicionohet më mirë me rreth 36.7% të maqedonasve që realizojnë transaksione me home banking.

Ndërkohë, vendet nordike janë të parat në kontinent, ku mbi 95% e popullsisë së tyre përdorin internetin për të kryer veprime bankare përmes telefonit.

Nga janari deri në gusht të këtij viti, shqiptarët kanë kryer 7.2 milionë transaksione me home banking, të cilat kapin një vlerë prej 1.7 miliardë lekësh. Statistikat më të fundit nga Banka e Shqipërisë tregojnë se në gusht ka pasur një rënie drastike prej 4.4% të numrit të veprimeve me bankingun në shtëpi dhe 5.7% të shumës së transaksioneve.

Megjithatë, vërehet një rritje e konsiderueshme në krahasim me vitin e kaluar. Pra, vlerësuar me veten jemi përmirësuar, por në krahasim me rajonin dhe Evropën mbetemi shumë mbrapa.

Home banking, i quajtur ndryshe si bankingu në shtëpi, përdoret për të kryer transferta parash, paguar taksat, faturat e energjisë elektrike, ujit, të telefonit, gjobat e policisë, pagesat e kartës së kreditit dhe të tjera, pa qenë nevoja e paraqitjes në degët fizike të bankave.

Realizimi i transfertave përmes aplikacioneve bankare në telefon kursen shumë më tepër kohë në vend të atyre që kryhen pranë degëve fizike, pasi transaksionet shpesh mund të përfundojnë brenda pak minutash në shtëpi.

Rritja e transaksioneve që kryhen përmes aplikacioneve ose faqeve online të bankave është një tregues i digjitalizimit të shërbimeve bankare, ndërsa rrit edhe më tepër përfshirjen financiare të qytetarëve, si dhe transparencën e veprimeve bankare.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat