Shqipëria Postuar më 26 Gusht 2025, 11:50

Shqiptarët, jo më “besnikë” të parasë fizike - BSH: Transaksionet në arkë ranë me 4.2%. Pagesat me kartë, në rritje

Nga Ledina Elezi

Shqiptarët, jo më “besnikë” të parasë

Shqiptarët i kanë qëndruar gjithmonë besnikë parasë fizike, ku pagesat me para në dorë kanë mbizotëruar prej vitesh ndaj atyre me kartë. Megjithatë, gjysma e parë e këtij viti dëshmon një trend rënës të pagesave me para në dorë në ekonomi. Shifrat tregojnë se në gjysmën e parë të vitit janë kryer më shumë pagesa me kartë në terminalet POS, më pak transaksione në sportelet fizike të bankave, si dhe një numër më i madh veprimesh me home banking.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, numri i transaksioneve të kryera në arkë zbriti në 3.5 milion gjatë gjysmës së parë të vitit, një rënie kjo me 4.2% në krahasim me janar-qershor 2024. Gati 68% e këtyre transaksioneve janë depozitim parash, ndërsa 32% janë tërheqje në arkë.

Sipas përllogaritjeve, rreth 792 miliardë lekë janë depozituar vetëm përmes arkës, ndërkohë që 429 miliardë lekë janë tërhequr nga bizneset dhe individët në periudhën janar-qershor.

Për sa i takon transaksioneve periodike, nga statistikat e Bankës së Shqipërisë rezulton se në gjashtëmujorin e parë janë kryer 1.9 milionë transferta kreditimi dhe 17 milionë transferta debitimi. Rreth 148 miliardë lekë vlerësohet të jetë disbursimi kredisë, pra depozitimi i fondeve të kredisë në llogarinë e biznesit, ndërsa 407 miliardë janë pagesat e interesave të depozitave.

Nga ana tjetër, për sa i përket transfertave të debitimit, shlyerjet e kartave të kreditit rezultojnë në 32 miliardë lekë, ndërkohë që pagesat e kësteve të kredisë në 70 miliardë lekë.

Deri në 2030, qeveria synon të reduktojë plotësisht përdorimin e parasë fizike dhe transaksionet të kryhen përmes formave digjitale. Megjithëse raporti i përdorimit të cash-it ndaj kartave dhe formave të tjera të pagesave online është akoma shumë i lartë, këto të dhëna tregojnë se jemi në rrugën e duhur drejt zvogëlimit të pagesave me para në dorë.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat