Shqipëria Postuar më 13 Mars 2025, 11:53

Shqiptarët ikin jashtë, të huajt punojnë këtu! - ISHP: Gjatë vitit të kaluar, 14% më shumë punonjës të huaj se në 2023

Nga Ledina Elezi

Shqiptarët ikin jashtë, të huajt punojnë këtu! - ISHP:

Gjatë vitit 2024, në Shqipëri rezultonin të punësuar gjithsej 1536 të huaj. Të dhënat nga raporti më i fundit i Inspektoriatit Shtetëror të Punës tregojnë se në vitin që lamë pas janë regjistruar 14% më shumë punonjës të huaj se në 2023.

Inspektoriati Shtetëror i Punës ka kryer 9,746 inspektime në subjektet private, nga ku janë konstatuar 1536 punëmarrës të huaj, 93 prej të cilëve ishin pa leje pune.

Po bizneset e cilëve sektorë punësojnë më tepër të huaj?

Shumica e të huajve rezultojnë të punësuar në sektorin e ndërmarrjeve prodhuese, si për shembull në ato që merren me prodhimin e tekstileve, apo materialeve të ndërtimit. Konkretisht, rreth 572 të huaj punojnë në ndërmarrjet prodhuese të Shqipërisë. Ndërkohë, sektori tjetër me më shumë kërkesë për punonjës nga jashtë është ai i tregtisë, hotele-bare-restorante.

“Boom-i” turistik që po përjeton Shqipëria vitet e fundit, ka shtuar nevojën e bizneseve për më tepër punëtorë për të përballuar kërkesat e turistëve, sidomos gjatë sezonit veror në jugun e vendit.

Gjithashtu, rritja e numrit të të huajve që punojnë në Shqipëri lidhet edhe me faktin se 40% e forcës punëtore të Shqipërisë punon jashtë, apo dhe për shkak se bizneset zgjedhin të marrin punonjës me paga më të ulëta nga vende aziatike.

Nga ana tjetër, miniera dhe ndërtimi janë dy sektorët e tjerë me numrin më të madh të punonjësve të huaj, me nga 133 dhe 128 përkatësisht. Ndërsa, financa dhe shërbimet, elektriciteti, gazi dhe ujë, janë ato që punësojnë më pak të huaj.

Nëse bëjmë një krahasim me 2023, rritja e numrit të  punonjësve të huaj është më e vogël. Në 2023, numri i tyre shënoi një rritje me 85%. Ndërsa edhe në 2023, sektorët që punësonin më shumë të huaj ishte ai i ndërmarrjeve prodhuese dhe tregtisë, hotele-bare-restorante.

Rritja e punësimit të punëmarrësve të huaj gjatë viteve të fundit ka sjellë një vëmendje të veçantë në praktikën inspektuese në kontrollin e kushteve të tyre të punës për të siguruar që ata të kenë kushte të sigurta, të drejta dhe të barabarta në punë.

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat