Shqipëria Postuar më 12 Gusht 2025, 12:43

Shqiptarët i “largohen” euros - BSH: Paketa e deeuroizimit jep efekt në pakësimin e kredive dhe depozitave në valutë

Nga Ledina Elezi

Shqiptarët i “largohen” euros - BSH: Paketa e deeuroizimit jep

Shqipëria ka bërë hapa përpara drejt uljes së përdorimit të euros dhe rritjes së përdorimit të lekut. Kështu thotë Banka e Shqipërisë në raportin e saj më të fundit mbi procesin e  deeuroizimit, teksa thekson se pavarësisht këtij përmirësimi, euro vijon të përdoret gjerësisht dhe duhen bërë akoma më shumë përpjekje për uljen e pranisë së saj në ekonominë dhe sistemin financiar të vendit.

Konkretisht, në gjysmën e parë të 2025 është vërejtur një rënie e kredive në valutë të pambrojtura nga kursi i këmbimit. Pra, pesha e kredive të marra në euro, kur të ardhurat kanë qenë në lekë ka pësuar ulje.

Gjithashtu, është shënuar një rënie e peshës së aktiveve likuide në valutë ndaj detyrimeve afatshkurtra në valutë, pakësim të kredive në valutë në raport me totalin e kredive, rënie e lehtë e peshës së depozitave në valutë dhe rritje e mëtejshme e depozitave në monedhën vendase me afat mbi një vit. Të gjithë këto janë tregues pozitivë në drejtim të deeuroizimit.

Në maj të këtij viti, Banka e Shqipërisë vendosi disa tavane mbi masën e kredisë që do të japin bankat ndaj qytetarëve që duan të blejnë një shtëpi të parë ose të dytë në lek dhe në euro. Vendosja e kufijve më shtrëngues për kreditë në valutë, ka mbështetur rritjen e përdorimit të monedhës vendase në këtë lloj kredie.

Që prej vitit 2018, Banka e Shqipërisë po zbaton një paketë masash, me qëllim uljen e përdorimit të monedhave të huaja dhe nxitjen e përdorimit të monedhës vendase. Paketa e deeuroizimit përmban tre elemente kryesore që përfshijnë diferencimin e normës së rezervës së detyrueshme për detyrimet në valutë dhe ato sipas afatit të maturimit në lek, kërkesa më të larta për treguesit e likuiditetit në valutë dhe ndërgjegjësimin e  qytetarëve për rrezikun që paraqet huamarrja në valutë.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat