Shqipëria Postuar më 3 Dhjetor 2024, 11:34

Shqipëria, vend me rrezik të ulët për pastrimin e parave - Raporti i Bazelit e vlerëson më mirë se Gjermania dhe shumë vende të tjera të BE

Nga Ledina Elezi

Shqipëria, vend me rrezik të ulët për pastrimin e parave -

Shqipëria është vlerësuar si një vend me rrezik të ulët të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit. Raporti më i fundit i Institutit të Bazelit tregon se Shqipëria ka bërë një progres të dukshëm për sa i përket këtyre dy treguesve.

Në këtë indeks, Shqipëria është vlerësuar me rezultatin total 4.35, duke u renditur në vendin e 36-të në renditjen botërore (nëse renditja fillon nga vendi me rrezik më të ulët), shumë më mirë se shumë prej vendeve të Bashkimit Evropian si Gjermania, Italia, Hollanda, Hungaria, Kroacia, Bullgaria, Rumania si dhe vendeve të tjera si SHBA, Kanada, Japoni e shumë juridiksione të tjera.

Progresi i arritur është i prekshëm si rezultat i masave të ndërmarra nga vendi ynë, sidomos në kuadër të përmbushjes së rekomandimeve të FATF dhe Moneyval që zënë peshën kryesore në këtë vlerësim me 65%.

Vendi ynë ka bërë përmirësime të mëtejshme në përmirësimin e kuadrit ligjor dhe rregullator (me angazhimin dhe të ekspertëve ndërkombëtarë) që ende nuk janë vlerësuar nga ekspertët e Moneyval, që do e përmirësonte më tej renditjen.

Indeksi i Bazelit bazohet në një metodologji të përbërë, me 18 tregues të kategorizuar në pesë fusha në përputhje me pesë faktorët kryesorë që konsiderohen se kontribuojnë në një risk të lartë të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, që janë cilësia e kuadrit ligjor të PP/FT, ryshfeti dhe korrupsioni, transparenca dhe standardet financiare, transparenca dhe përgjegjësia publike, risqet ligjore dhe politike.

Rikujtojmë se gjatë vitit të kaluar, Shqipëria doli nga lista gri e pastrimit të parave të Task Forcës së Veprimit Financiar, ndryshe e quajtur FATF, e cila është një strukturë ndërkombëtare përsa i përket monitorimit të luftës për parandalimin e pastrimit të parave si dhe financimin e terrorizimit.

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat