Shqipëria Postuar më 18 Qershor 2025, 09:52

“Shqipëria, transformim ekonomik të përparuar” - Indeksi i BTI: Performon mirë në drejtim të politikave monetare dhe fiskale

Nga Ledina Elezi

“Shqipëria, transformim ekonomik të përparuar” -

Indeksi i Bertelsmann Stiftung (BTI) e rendit Shqipërinë në vendin e 23-të për sa i takon zhvillimit dhe transformimit ekonomik që ka përjetuar vitet e fundit, nga 137 shtete të marra në analizë. Shqipëria rezulton të ketë përparuar në krahasim me raportin e BTI për vitin 2022.

Bertelsmann Stiftung mat transformimin politik dhe ekonomik të vendeve në zhvillim dhe tranzicion, të cilat kanë kaluar nga diktaturë në demokraci dhe nga një ekonomi e centralizuar në një ekonomi të hapur tregu. Nga 10 pikë në total, BTI e vlerëson Shqipërinë me 7 pikë. Shqipëria ka performuar më mirë në drejtim të qëndrueshmërisë fiskale dhe monetare, e më dobët në zhvillimin socioekonomik dhe politikat mjedisore.

Konkretisht, për sa i përket qëndrueshmërisë monetare, Bertelsmann Stiftung thekson se Banka e Shqipërisë ka instrumentet e duhura, kompetencat dhe kapacitetet e mjaftueshme për të realizuar politika efikase. BTI vlerëson edhe regjimin e lirë të kursit të këmbimit ku vlera e lekut kundrejt monedhave të huaja përcaktohet lirisht në tregun e këmbimit valutor, duke ndjekur lëvizjen e lirë të mallrave dhe kapitalit, si dhe transaksionet financiare të Shqipërisë me partnerët e saj tregtarë.

Të drejtat e pronës dhe rregulloret përkatëse janë mirëpërcaktuara me ligj, por problemet mbeten me zbatimin e sundimit të ligjit. Megjithatë, në krahasim më vitin 2022, në vitin që lamë pas ka pasur njëfarë progresi në regjistrimin e pronave dhe digjitalizimin e procedurave përkatëse.

Sipas Indeksit, shqetësimeve mjedisore nuk u kushtohet vëmendje e mjaftueshme, ndërsa rregulloret ekzistuese janë të dobëta dhe nuk zbatohen mjaftueshëm. Megjithatë, Indeksi vlerëson punën për diversifikimin e burimeve të rinovueshme të energjisë.

Nga ana tjetër, korniza institucionale për konkurrencën në tregje në Shqipëri është e fortë, por rregullat nuk janë gjithmonë të qëndrueshme ose të njëjta për të gjithë pjesëmarrësit në treg. Sektori informal është tkurrur, por mbetet i konsiderueshëm thotë BTI.

“Shqipëria, transformim ekonomik të përparuar” -

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat