Shqipëria Postuar më 11 Qershor 2025, 10:30

Shqipëria, “stacioni” i ri për punëtorët e huaj - Fituan 1,1 mld lekë në 3 muaj. Po rritet kërkesa për leje pune

Nga Hamit Yzeiraj

Shqipëria, “stacioni” i ri për punëtorët e huaj

Shqipëria po kthehet në një vend të emigracionit punëtor, duke u bërë një destinacion gjithnjë e më i frekuentuar për shtetas të huaj. Vetëm në tre muajt e parë të vitit 2025, të ardhurat që punonjësit e huaj kanë përfituar nga puna në Shqipëri kapën shifrën e 11.1 milionë eurove, ose rreth 1.1 miliardë lekë.

Të dhënat zyrtare të publikuara nga Banka e Shqipërisë tregojnë një rritje me 12% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar dhe 17%, në raport me tremujorin e parë të vitit 2023.

Ky trend nuk është rastësor. Shtimi i të ardhurave lidhet drejtpërdrejt me rritjen e ndjeshme të numrit të punonjësve të huaj që operojnë ligjërisht dhe jo vetëm në tregun shqiptar të punës.

Sipas të dhënave nga Inspektoratit Shtetëror i Punës për vitin 2024, nga rreth 200 mijë vende pune të inspektuara në të gjithë vendin, janë evidentuar 12 500 shtetas të huaj të punësuar. Kjo do të thotë se 1 në çdo 16 punonjës të kontrolluar nga inspektorët rezulton të jetë i huaj.

Në këtë panoramë të re, bien në sy vendet nga të cilat vijnë më së shumti këta punonjës. Egjipti, Filipinet, India dhe Turqia janë ndër burimet kryesore të fuqisë punëtore të huaj në Shqipëri, ndërsa për sektorë si ndërtimi, hoteleria dhe shërbimet, kërkesa për punonjës të tillë vazhdon të rritet.

Në të njëjtën kohë, gjithnjë e më shumë kompani shqiptare po zgjedhin të plotësojnë mungesat në treg përmes rekrutimit të punëtorëve të huaj.

Kërkesa në rritje për leje pune pasqyrohet qartë edhe në të dhënat e Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive, e cila raporton se aplikimet për leje pune janë rritur me ritme vjetore që variojnë nga 15 deri në 18%.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat