Shqipëria Postuar më 27 Mars 2026, 14:12

“Shqipëria, sovranitet energjetik deri në 2030” - Karakaçi: Po punojmë me ndërkombëtarët që të krijojmë një fond financimi dhe eficience energjie

Nga Ledina Elezi

“Shqipëria, sovranitet energjetik deri në 2030” -

Deri në vitin 2030 synohet që Shqipëria të mos varet më nga importi i energjisë dhe të krijojë kështu një sovranitet energjetik. Kështu është shprehur Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi në Konferencën e Shoqatës së Investitorëve të Huaj në Shqipëri, teksa theksoi ndër të tjera se po punohet me ndërkombëtarët që të krijojmë një fond financimi dhe eficience energjie.

“Cili është objektivi jonë? Është shumë i qartë. Shqipëria nga një vend i varur nga importet, të kthehet brenda vitit 2030 në një vend eksportues dhe që të kemi mundësi të kemi sovranitet energjetik. Një tjetër element i rëndësishëm është eficienca e energjisë, patjetër kemi patur programe për mbështetjen e eficiencës së energjisë, por mendoj se këtu është vendi që mund të bëjmë përsëri më shumë. Nuk ja kemi dalë aq sa duhet të kemi një fond eficience të energjisë dhe për këtë jemi duke punuar shumë seriozisht me një nga financuesit ndërkombëtarë që të krijojmë një fond financimi dhe një fond eficience energjie që të kemi mundësi që të kemi programe të vazhdueshme për eficiencën e energjisë”, u shpreh Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë.

Shqipëria është e fokusuar në fuqizimin e rrjeteve dhe lidhjeve ndërkombëtare. Investimi në linjat ekzistuese, projektet e reja të interkonjeksionit dhe planet për ndërlidhjen me tregjet evropiane janë hapa strategjikë për të kthyer Shqipërinë në një nyje strategjike të transmetimit të energjisë në rajon u shpreh Karakaçi.

“Sot rreth 10% e prodhimit vendas vjen nga energjia diellore, duke krijuar kështu një pol të ri energjetik dhe duke ulur ndjeshëm varësinë nga kushtet klimatike. Por transformimi duhet të themi nuk ndalet vetëm te prodhimi, ngjarjet e fundit në Evropë kujtojnë që siguria energjetike nuk është e lidhur vetëm me prodhimin, por edhe me transmetimin. Kudo në Evropë sot flitet për transmetimin, kudo në Evropë sot flitet për kapacitetet. Në fund të ditës, nëse duam të ndërtojmë kapacitete të reja gjeneruese është e rëndësishme që të ndërtojmë edhe kapacitete transmetuese”, tha Karakaçi.

Sipas tij, Shqipëria ka përjetuar një transformim energjetik në 5 vitet e fundit. Përmes reformave të thella është krijuar një sistem i qëndrueshëm, janë forcuar institucionet dhe modernizuar prodhimi.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat