Shqipëria Postuar më 6 Mars 2026, 14:01

Shqipëria ringre Shkollën e Aviacionit - Vetëm 10 kadetë do t’i nënshtrohen një kurrikule 18-mujore për t’u certifikuar si pilot

Nga Ledina Elezi

Shqipëria ringre Shkollën e Aviacionit - Vetëm 10 kadetë do

Kanë nisur procedurat për rekrutimin e studentëve të Shkollës së Aviacionit në Vlorë. Kjo shkollë do të rikthehet pas 19 vitesh falë bashkëpunimit midis kompanisë shtetërore shqiptare për prodhimin e armëve, KAYO dhe kompanisë izraelite të teknologjive të mbrojtjes Elbit Systems Ltd.

Kjo shkollë do të nxjerrë pilotë ushtarakë dhe civilë, kontrollorë ajrorë ushtarakë dhe civilë. Deri në vitin 2030, synohet që të përgatiten 30 pilotë dhe 50 kontrollorë ajrorë ushtarakë.

Kompania Elbit Systems Ltd do të sjellë teknologji të përparuar, si simulatorë të fluturimit në kushte të vështira dhe pajisje moderne trajnimi. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, ngritja e Akademisë së Aviacionit do të sjellë ulje të kostove, certifikim të qëndrueshëm dhe të pavarur, si edhe rritje të kapaciteteve kombëtare në mbrojtje dhe aviacion civil.

Por si do të bëhet përzgjedhja e studentëve?

Aplikimet janë të hapura qoftë për forcat aktive, qoftë edhe për të rinj civilë që përmbushin kriteret. Në fazën e parë do të përzgjidhen 40 vetë, të cilët do të kalojnë një testim rigoroz. Pas testimit, nga ky grup prej 40 personash do të përzgjidhen vetëm 10 kadetë, të cilët do t’i nënshtrohen një kurrikule 18-mujore për t’u certifikuar si pilot. Aktualisht, janë porositur helikopterët stërvitorë, të cilët pritet të vijnë gjatë muajit maj në Shqipëri.  

Në vitin 1962, Ministri i Mbrojtjes së asaj kohe Beqir Balluku dha urdhër për formimin e Shkollës së Aviacionit në qytetin e Vlorës. Vetëm një vit më pas, në 1963 do të diplomoheshin pilotët gjuajtës-bombardues, kursantë këto që kishin lënë përgjysmë studimet në ish-Bashkimin Sovjetik. Kjo shkollë do të mbyllej në 2007.

Si rezultat i ndryshimit të kontekstit gjeopolitik dhe rritjes së sfidave të sigurisë, shumë vende po rrisin investimet në mbrojtje dhe në modernizimin e kapaciteteve ushtarake. Edhe Shqipëria po ndjek të njëjtin drejtim, duke synuar forcimin e aftësive të saj në fushën e aviacionit dhe rritjen e kapaciteteve kombëtare për trajnim dhe operim ajror.

Ringritja e Akademisë së Aviacionit në Vlorë shihet si një hap i rëndësishëm në këtë drejtim, pasi pritet të rikthejë në vend traditën e përgatitjes së pilotëve dhe specialistëve të aviacionit.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat