Shqipëria Postuar më 14 Mars 2025, 12:49

Shqipëria, qendër inovacioni dhe zhvillimi - Hyn në fuqi Strategjia e Specializimit Inteligjent. Cilat janë fushat prioritare?

Nga Ledina Elezi

Shqipëria, qendër inovacioni dhe zhvillimi - Hyn në fuqi

Shqipëria është drejt rrugës së transformimit në një qendër inovacioni dhe zhvillimi. Sapo ka hyrë në fuqi Strategjia e Specializimit Inteligjent 2024-2030 (S3), e cila synon të identifikojë fusha premtuese, të referuara si fusha prioritare, me qëllim nxitjen e inovacionit dhe zhvillimit të qëndrueshëm përmes ndërhyrjeve publike dhe private.

Këto fusha prioritare identifikohen bazuar në pikat e forta ekonomike, inovative dhe shkencore të vendit, njohuritë e ekspertëve dhe dialogun me palët e interesit të sektorit privat, akademisë dhe shoqërisë civile. Pikërisht ky mospërcaktim i fushave prioritare vetëm nga politikëbërësit, është një nga veçoritë kryesore të procesit strategjik.

Tre nga fushat prioritare të kësaj strategjie janë energjia e rinovueshme dhe burimet natyrore, turizmi, zinxhiri ushqimor i shëndetshëm dhe i qëndrueshëm.

Fusha e parë synon konsolidimin e Shqipërisë si lider në energjinë e rinovueshme dhe menaxhimin e qëndrueshëm të burimeve. Për këtë parashikohet rritja e investimeve në energjinë e rinovueshme, duke përfshirë liberalizimin e tregut të energjisë, përmirësimi i procedurave për dhënien e lejeve dhe licencave për kompanitë që operojnë në këtë sektor, investimi në zhvillimin e rrjeteve inteligjente dhe sistemeve të ruajtjes së energjisë, rritja e infrastrukturës energjetike, duke përfshirë ndërtimin e qendrave teknologjike dhe stacioneve të karikimit për të mbështetur transportin elektrik dhe të tjera. Gjithashtu, objektiv është edhe zgjerimi i depozitave ekzistuese minerale dhe eksplorimi i depozitave të reja.

Prioriteti i turizmit synon të tërheqë një audiencë globale duke ruajtur integritetin ekologjik dhe historik të vendit. Strategjia mbështet përmirësimet e infrastrukturës, proceset e marketingut dhe projektet e bazuara në komunitet që përmirësojnë përvojat e vizitorëve dhe nxisin zhvillimin ekonomik lokal.

Ndërkohë, prioriteti i tretë thekson kalimin drejt bujqësisë organike dhe prodhimin e ushqimit të qëndrueshëm. Ai mbështet adoptimin e praktikave që garantojnë dhe përmirësojnë sigurinë ushqimore, si dhe reduktojnë ndikimin mjedisor të bujqësisë.

Me qëllim arritjen e objektivave të këtyre sektorëve prioritarë do të ndërmerren disa masa që përfshijnë zhvillimin e kapitalit njerëzor, mbështetjen e kërkimit dhe inovacionit, mbështetjen e mjedisit të biznesit dhe inovacionit, digjitalizimin në drejtim të inteligjencës artificiale dhe lidhshmërisë (konektivitetit).

Kjo strategji është hartuar në përputhje me strategjinë e zgjerimit të Bashkimit Evropian.

 

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat