Shqipëria Postuar më 24 Korrik 2026, 19:01

Shqipëria prezanton potencialin në forumin global në Kore/ Sesioni më i rëndësishëm për mbrojtjen dhe menaxhimin e trashëgimisë

Nga Scan TV

Shqipëria prezanton potencialin në forumin global në Kore/ Sesioni Shqipëria mori pjesë në Sesionin e 48-të të Komitetit të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, të zhvilluar në Busan, Republika e Koresë, forumi më i rëndësishëm global për mbrojtjen dhe menaxhimin e trashëgimisë botërore.

Në këtë sesion, mbi 3 mijë delegatë dhe ekspertë nga 196 Shtete Palë të Konventës së Trashëgimisë Botërore u mblodhën për të diskutuar politikat dhe masat për ruajtjen e pasurive kulturore dhe natyrore me Vlerë Universale të Jashtëzakonshme.

Gjatë punimeve të Komitetit, delegacioni shqiptar prezantoi progresin e arritur në mbrojtjen dhe menaxhimin e pasurive të Trashëgimisë Botërore në Shqipëri.

Për Parkun Kombëtar të Butrintit, Komiteti vlerësoi pozitivisht dokumentet e reja teknike dhe strategjike, forcimin e bashkëpunimit me komunitetin lokal, si dhe angazhimin për një menaxhim të qëndrueshëm në përputhje me standardet e UNESCO-s.

Vlerësim mori edhe puna për Qendrat Historike të Beratit dhe Gjirokastrës, ku u njoh progresi në avancimin e Planit të Integruar të Menaxhimit, forcimin e koordinimit institucional dhe ndërmarrjen e masave për ruajtjen afatgjatë të këtyre pasurive me rëndësi të jashtëzakonshme.

Një fokus të veçantë pati edhe Rajoni i Liqenit të Ohrit. Shqipëria prezantoi masat konkrete të ndërmarra për mbrojtjen e kësaj pasurie ndërkufitare, përfshirë shpalljen e Gadishullit të Linit si Ansambël Arkitektonik Urban me zonën e tij mbrojtëse, forcimin e kuadrit ligjor për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe natyrore, si dhe bashkëpunimin e ngushtë me Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe UNESCO-n për menaxhimin e koordinuar të kësaj pasurie të përbashkët.

Pjesëmarrja në këtë sesion rikonfirmon angazhimin e Shqipërisë për zbatimin e standardeve më të larta të UNESCO-s, forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore e natyrore të Shqipërisë, me qëllim ruajtjen dhe promovimin e saj për brezat e ardhshëm.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat