Shqipëria Postuar më 27 Prill 2026, 13:37

Shqipëria po bëhet “cashless” - Rriten ndjeshëm pagesat në POS. Bizneset drejt detyrimit për pajisje deri në 30 maj

Nga Ledina Elezi

Shqipëria po bëhet “cashless” - Rriten ndjeshëm

Nga kafet e mëngjesit te blerjet në supermarkete, gjithnjë e më shpesh shqiptarët po zgjedhin të paguajnë me kartë. Vetëm në dy muajt e parë, janar–shkurt, numri i pagesave me kartë në terminalet POS arriti në rreth 4.85 milion transaksione, një rritje e ndjeshme krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025, kur ishin rreth 3.73 milion.

Kjo do të thotë një rritje prej afërsisht 30% të përdorimit të kartave për pagesa në dyqane, restorante dhe shërbime të tjera. Pra, gjithnjë e më pak qytetarë po paguajnë cash dhe gjithnjë e më shumë po përdorin kartën.

E njëjta tendencë shihet edhe në vlerë. Në janar–shkurt 2026, pagesat me kartë në POS arritën në rreth 17.7 miliardë lekë, ndërsa në të njëjtën periudhë të një viti më parë ishin rreth 15.15 miliardë lekë. Edhe këtu kemi një rritje të dukshme, që tregon jo vetëm më shumë transaksione, por edhe më shumë shpenzime përmes kartës.

Kjo rritje lidhet me disa faktorë si ndryshimi i sjelljes së konsumatorëve, përdorimi më i madh i pagesave pa kontakt dhe shtimi i pikave ku pranohet karta

Por kjo prirje nuk është vetëm spontane. Ajo po nxitet edhe nga masa konkrete ligjore. Administrata Tatimore ka vendosur që deri më 30 maj 2026, të gjitha bizneset në sektorët e turizmit, transportit dhe institucionet publike duhet të pajisen me terminale POS në çdo pikë shitjeje.

Ky detyrim përfshin hotele, bujtina, restorante, taksi, kompani transporti dhe shumë shërbime të tjera. Qëllimi është i qartë: ulja e përdorimit të parasë cash, rritja e transparencës dhe formalizimi i ekonomisë

Në një kohë kur turizmi në Shqipëri po rritet ndjeshëm dhe vizitorët e huaj preferojnë pagesat me kartë, kjo masë pritet të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në përmirësimin e shërbimit dhe rritjen e të ardhurave të bizneseve.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat