Shqipëria Postuar më 7 Gusht 2026, 10:47

Shqipëria përfiton më shumë nga Plani i Rritjes - Vendi ynë, i pari në rajon për disbursimin e fondeve nga BE

Nga Dorian Koça

Shqipëria përfiton më shumë nga Plani i Rritjes - Vendi

Vendet e Ballkanit Perëndimor po përparojnë me ritme të ndryshme në zbatimin e reformave. Në një analizë të WeBalkans.eu, theksohet se Mali i Zi, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë shënuar përparimin më të madh, ndërsa Bosnjë dhe Hercegovina dhe Kosova mbeten në fund. Përparimi i Serbisë, ndërkaq, është ngadalësuar kryesisht për shkak të faktorëve të brendshëm.

Sipas Komisionit Evropian, Plani i Rritjes po zbatohet me ritëm të plotë, me 673,6 milionë euro të disbursuara që nga nisja e programit.

“Që nga maji 2024, Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor ka sjellë përfitime të prekshme për rajonin dhe qytetarët. Me mbështetjen tonë, partnerët tanë po zbatojnë reforma kyçe që hapin rrugën drejt integrimit të tyre në Bashkimin Evropian”, ka deklaruar zëdhënësi i Komisionit Evropian, duke bërë të ditur se janë miratuar gjashtë Agjenda të Reformave dhe pesë partnerë kanë marrë parafinancim, me përjashtim të Bosnjë e Hercegovinës.

Sa i përket financimit, Shqipëria ka marrë 212.8 milionë euro, Serbia 167.5 milionë, Maqedonia e Veriut 142.1 milionë, Mali i Zi 91.2 milionë dhe Kosova 61.8 milionë euro. Bosnjë e Hercegovina nuk ka marrë ende asnjë pagesë, ndërsa shuma e caktuar fillimisht për këtë shtet tashmë është zvogëluar.

Sipas WeBalkans, ndryshimet më të dukshme në terren janë regjistruar në Shqipëri, Mal të Zi dhe Maqedoni të Veriut, përfshirë digjitalizimin e një pjese të shërbimeve publike, thjeshtimin e procedurave për regjistrimin e bizneseve dhe rritjen e investimeve në infrastrukturë.

Shqipëria po investon në modernizimin e infrastrukturës hekurudhore, internetin me brez të gjerë, përmirësimin e rrjetit të energjisë elektrike dhe pajisjen e shkollave me teknologji digjitale.

Të gjitha projektet e financuara në kuadër të Planit të Rritjes pritet të mbyllen deri në fund të vitit 2027 dhe nuk do të zgjatet afati i zbatimit. Vendet që nuk i përmbushin zotimet do t'i humbin fondet e parashikuara, të cilat më pas do t'u rialokohen shteteve të tjera të rajonit.

Plani i Rritjes kap vlerën e përgjithshme prej 6 miliardë euro, prej të cilave 4 miliardë janë kredi me kushte të favorshme dhe 2 miliardë euro grante.

Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor synon afrimin ekonomik të vendeve të rajonit me Bashkimin Evropian përmes integrimit gradual në tregun e përbashkët evropian, forcimit të bashkëpunimit ekonomik rajonal dhe përshpejtimit të reformave themelore.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat