Shqipëria Postuar më 26 Shkurt 2026, 11:16

Shqipëria përballë rajonit/ Sa kushton jetesa krahasuar me fqinjët?

Nga Eldiona Serani

Shqipëria përballë rajonit/ Sa kushton jetesa krahasuar me

Kostoja e jetesës përfshin një sërë zërash të rëndësishëm në shportën mujore të çdo qytetari, duke nisur nga ushqimet dhe transporti, e deri te taksat, veshjet dhe argëtimi. “Scan Intel” ka marrë në analizë disa nga këta zëra kryesorë, duke i krahasuar me vendet e rajonit për të kuptuar më qartë se ku pozicionohet Shqipëria. Sipas të dhënave dhe indekseve të publikuara nga Visual Capitalist, çmimet në rajon për vitin 2026 paraqesin luhatje të ndjeshme.

Nëse shqyrtojmë transportin publik, rezulton se kostoja më e lartë në rajon i takon Malit të Zi, me një çmim mesatar prej rreth 30 eurosh. Shqipëria renditet e katërta, me një kosto më të moderuar krahasuar me disa vende të tjera të rajonit. Ndërkohë, qytetarët e Kosovës paguajnë më pak për këtë shërbim, ndërsa në Serbia, konkretisht në Beograd, transporti publik ofrohet falas.

Sa i përket çmimeve të ushqimeve, situata ndryshon. Shqipëria rezulton me kosto më të larta për disa produkte bazë të konsumit, duke e renditur ndër vendet më të shtrenjta në këtë kategori. Shumë pranë saj qëndron sërish Mali i Zi, ndërsa Kosova dhe Maqedonia e Veriut ofrojnë çmime më të ulëta për pothuajse të gjitha ushqimet bazë.

Një tjetër element i rëndësishëm në buxhetin e qytetarëve është raporti mes taksave dhe pagës. Sipas indeksit të analizuar, Shqipëria renditet relativisht më mirë në këtë tregues, duke pasur një raport më të favorshëm krahasuar me disa vende të tjera të rajonit. Mali i Zi paraqitet me nivelin më të lartë të taksave në raport me pagat, i ndjekur nga Serbia dhe Bosnje & Hercegovina. Shqipëria mbetet ndër vendet me barrë më të moderuar fiskale në këtë krahasim.

Në kategorinë e veshjeve dhe argëtimit, tabloja paraqitet e ndryshme. Serbia rezulton me çmimet më të larta për veshje, e ndjekur nga Shqipëria dhe Mali i Zi me kosto pothuajse të ngjashme. Ndërkohë, Kosova dhe Maqedonia e Veriut ofrojnë alternativa më ekonomike.

Sa i përket argëtimit, kostot më të larta regjistrohen në Tiranë, duke e renditur kryeqytetin shqiptar ndër më të shtrenjtët në rajon për këtë kategori. Pas saj renditen Mali i Zi dhe Serbia.

Në tërësi, krahasimi tregon se Shqipëria pozicionohet mesatarisht në rajon për disa zëra të rëndësishëm të jetesës, ndërsa për të tjerë paraqitet me kosto më të larta, duke reflektuar një strukturë çmimesh që ndryshon sipas sektorëve.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat