Shqipëria Postuar më 27 Nëntor 2025, 11:52

Shqipëria, për herë të parë me një ligj për kripto-asetet - Transpozim i plotë i rregullores së BE. Më shumë siguri për investitorët

Nga Ledina Elezi

Shqipëria, për herë të parë me një ligj për

Tregu i kripto-aseteve do të rregullohet për herë të parë me një ligj të veçantë në Shqipëri. Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit ka publikuar një projektligj që synon të vendosë rregulla të qarta në një treg që deri më sot ka funksionuar pa një kuadër ligjor modern e efektiv.

Ky është një hap që vendi nuk e kishte ndërmarrë më parë pavarësisht rritjes së shpejtë të tregut digjital dhe interesit në rritje të qytetarëve për investimet në kriptomonedha. Projektligji është një transpozim i plotë i rregullores së BE për kripto-asetet.

Nevoja për një ligj të ri lindi për disa arsye kyçe. Së pari, ligji aktual i vitit 2020 nuk arriti të krijonte një treg të rregulluar, asnjë kompani nuk u licencua dhe shumë prej shërbimeve kryesore të industrisë së kriptove si këshillimi, ekzekutimi i urdhrave, shërbimet e kujdestarisë apo stablecoins nuk ishin të mbuluara nga ligji ekzistues. Kjo situatë krijonte boshllëqe të mëdha, duke rritur rrezikun për qytetarët dhe duke penguar zhvillimin e industrisë.

Së dyti, ngjarjet ndërkombëtare si rrëzimi i Terra/Luna, falimentimi i Celsius apo skandali i FTX treguan se mungesa e rregullimit mund të çojë në humbje të mëdha financiare, manipulim tregu dhe abuzime me fondet e investitorëve. Autoritetet shqiptare identifikuan se të njëjtat rreziqe mund të prekin edhe tregun vendas, nëse nuk vendosen standarde të ngjashme me ato të Bashkimit Europian.

Një faktor tjetër është angazhimi i Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në BE. Në kuadër të Kapitullit 9, “Shërbimet Financiare”, Shqipëria është e detyruar të përafrojë legjislacionin me rregulloren MiCA të BE-së, e cila konsiderohet sot kuadri më gjithëpërfshirës në botë për kripto-asetet.

Me këtë projektligj, autoritetet synojnë të vendosin një mjedis të qartë, të sigurt dhe konkurrues për tregun e kripto-aseteve, duke mbrojtur investitorët.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat