Shqipëria Postuar më 25 Maj 2025, 10:14

Shqipëria nis identifikimin elektronik të kafshëve

Nga SCAN TV

Shqipëria nis identifikimin elektronik të kafshëve

Shqipëria ka hyrë zyrtarisht në sistemin europian të identifikimit dhe regjistrimit të kafshëve të shoqërimit, pas një marrëveshjeje mes Autoritetit Kombëtar të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve (AKVMB) dhe Urdhrit Profesional të Mjekut Veterinar të Shqipërisë (UPMVSH).

Marrëveshja, e firmosur më 30 prill 2025 nga drejtori i AKVMB-së, z. Sulejman Kulolli, dhe presidenti i UPMVSH-së, Dr. Ervin Resuli, parashikon që vetëm veterinerët e licencuar do të kenë të drejtën ligjore për mikroçipimin dhe pasaportimin e qenve dhe maceve.

Ky sistem i ri garanton gjurmueshmëri, mbrojtje të mirëqenies së kafshëve dhe përforcim të sigurisë shëndetësore, duke ndihmuar në kontrollin e sëmundjeve zoonotike si tërbimi, lehismaniaza, echinokokoza dhe toksoplasmoza.

Unioni Europian i Veterinerëve të Praktikës (UEVP), një nga organizatat më të rëndësishme europiane në këtë fushë, ka përshëndetur publikisht marrëveshjen më 23 maj 2025. Sipas UEVP-së, ky është një hap strategjik që vendos Shqipërinë në përputhje me standardet europiane dhe e bën atë pjesë aktive të sistemit veterinar të BE-së.

“Shqipëria nuk është më jashtë sistemit, por pjesë aktive e tij. Marrëveshja AKVMB–UPMVSH është një model për të gjithë rajonin”, thuhet në deklaratën zyrtare të UEVP-së.

Ky zhvillim vjen pak muaj pas pranimit të UPMVSH-së si anëtare me të drejta të plota në UEVP, duke rritur dukshëm rolin e Shqipërisë në vendimmarrjen europiane për sigurinë veterinare dhe mbrojtjen e shëndetit publik.

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat