Shqipëria Postuar më 27 Dhjetor 2024, 12:40

Shqipëria në arenën ndërkombëtare, ç’do të ndodhë në 2025? - Në fokus, Samiti i Komunitetit Politik Evropian dhe modernizmi i shërbimeve konsullore

Nga Ledina Elezi

Shqipëria në arenën ndërkombëtare, ç’do

Buxheti prej 3.8 miliardë lekësh për Shërbimin e Jashtëm në 2025, do të përdoret më së për krijimin e partneriteteve të reja, forcuar diplomacinë ekonomike, promovuar investimet dhe mundësitë e bashkëpunimit. Avancimi i procesit të negociatave me Bashkimin Evropian, do të jetë ndër objektivat kryesorë të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme.

Në një takim me mediat, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, është shprehur se mbajta e Samitit të Komunitetit Politik Evropian në Tiranë vitin e ardhshëm, do të forcojë më tepër pozicionin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.

“Organizimi i Samitit të Komunitetit Politik Europian në Tiranë në maj 2025 do jetë një ngjarje e rëndësishme që do theksojë edhe një herë rolin e Shqipërisë në proceset politike dhe diplomatike të kontinentit europian, si një aktor aktiv dhe të përgjegjshëm në politikën ndërkombëtare. Ky samit, i cili do të mbahet për herë të parë në kryeqytetin shqiptar, simbolizon një hap të madh për imazhin që ka krijuar vendi ynë dhe integrimin e mëtejshëm në strukturat europiane.”

Ndërkohë, një fokus i veçantë do t'i jepet edhe modernizimit të mëtejshëm të shërbimeve konsullore.

“Një aspekt i rëndësishëm i modernizimit të shërbimeve konsullore është modernizimi i shërbimit konsullor online (SHKO) dhe sistemit të eVisa, për të cilat punohet në vazhdimësi. Kjo iniciativë ka për qëllim lehtësimin dhe rritjen e efikasitetit të ofrimit të shërbimeve online për qytetarët shqiptarë dhe atyre të huaj që dëshirojnë të vizitojnë Shqipërinë, duke iu dhënë mundësi për aksesim të shpejtë e pa pengesa si për shërbimet konsullore ashtu edhe për aplikimet për viza. Një arritje tjetër që presim që nga java tjetër është redukimi i kohës nga 6 javë në 2 javë për pajisjen e qytetarëve shqiptarë jashtë vendit me dokumente identifikimi biometrike, duke e bërë këtë proces më të shpejtë dhe më efikas.”

Gjatë 2025, pritet të hapen edhe ambasada të reja në Bosnje-Hercegovinë, Indonezi dhe Kenia, ndërsa në Shqipëri do të hapen dy zyra ndërkombëtare të Bankës Evropiane të Investimeve  dhe Organizatës për Zhvillim Industrial të Kombeve të Bashkuara (UNIDO).

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat