Shqipëria Postuar më 7 Shkurt 2025, 19:15

Shqipëria, mikpritëse e Kongresit Botëror të Ligjit në 2027-Rama: Po atë vit, samiti i NATO-s dhe finalja evropiane në futboll

Nga Ledina Elezi

Shqipëria, mikpritëse e Kongresit Botëror të Ligjit në

Shqipëria do të jetë mikpritëse e Kongresit Botëror të Ligjit në 2027. Sot është nënshkruar në Madrid marrëveshja për organizimin e këtij kongresi që do të sjellë në Tiranë rreth 3 mijë juristë nga gjykatat supreme dhe sistemet gjyqësore të shumë vendeve të botës.

Gjatë paradites, Kryeministri Edi Rama është takuar edhe me Mbretin e Spanjës Felipe VI. Në konferencën e mbajtur për shtyp, Rama u shpreh se ky është një sinjal i fortë besimi ndaj vendit tonë.

“Na u thanë kaq shumë fjalë inkurajuese për betejën tonë për të reformuar drejtësinë në Shqipëri dhe për ta bërë Shqipërinë një anëtare krenare të BE, ku shteti i së drejtës është i vendosur njëherë e përgjithmonë. Jam shumë mirënjohës Havierit dhe udhëheqjes së tij që jo vetëm erdhën, por po kështu mblodhi të gjitha informacionet objektive rreth reformës sonë shumë sfiduese, por deri më tani, mjaft të duartrokitur. Më duhet të them se fakti që Shqipëria do të mirëpresë kongresin botëror të drejtësisë, është shpërblimi më inkurajues për të gjitha përpjekjet dhe arritjet. Është dhe një sinjal i fortë besimi, që vjen me përgjegjësi për të bërë më mirë, për të përfaqësuar një vend që vjen nga një e shkuar jo e mirë, por me vizionin e duhur, mund të tejkalojë të shkuarën e keqe, për të bërë që shteti i së drejtës të mos jetë vetëm një fjalë në kushtetutën tonë, por të jetë një mënyrë jetese. Do të bëjmë gjithçka që të jemi mikpritës të shkëlqyer. Ne mund të jemi pas në shumë gjëra, por pretendojmë kupën e botës në mikpritje. Gjithkush këtu ka një ftesë për të ardhur në Shqipëri, me premtimin që jo vetëm nuk do të pendoheni, por do doni të ktheheni, me premtimin se çdo gjë që keni dëgjuar se në ç’mënyrë të parët tuaj në Spanjë përdornin për të pritur miqtë, do ta gjeni dhe aty. Kjo s’do të thoni se duhet të shpenzoni shumë. Jemi të përulur që jemi këtu dhe që na është treguar shumë respekt, dhe që kemi takuar mbretin, që nga pikëpamja njerëzore, është më e mira që ti mund të gjesh”, tha Rama.

Në 2027, Shqipëria do të jetë gjithashtu mikpritëse e Samitit të NATO-s dhe e finales evropiane në futboll për moshën nën 21 vjeç.

“Në 2027 ne do të mikëpresim një seri evenimentesh të cilat do të kishin qenë të paimagjinueshme jo 40 vjet më parë, por edhe pak vite më parë, sepse në 2027 Shqipëria do të jetë mikpritëse e jo vetëm Kongresit Botëror të Drejtësisë, por edhe e Samitit të NATO-s, e po kështu edhe e finaleve evropiane nën moshën 21 vjeç në futboll. Shqipëria është një nga vendet më të sigurta në Evropë, kemi normën më të ulët të vjedhjeve dhe këtë nuk e themi ne, e thonë organizatat ndërkombëtare”, theksoi Kryeministri.

Kongresi Botëror i Ligjit organizohet nga Fondacioni Botëror i Ligjit. Gjatë Kongreseve Botërore të së Drejtës, më shumë se 2000 liderë në mbarë botën, duke përfshirë krerët e shteteve, gjyqtarët, akademikët, noterët, avokatët, juristët, apo studentët e drejtësisë, mblidhen për të diskutuar çështje aktuale që bota ligjore duhet t'i adresojë.

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat