Shqipëria Postuar më 11 Nëntor 2025, 12:06

“Shqipëria, mes vendeve me rritjen ekonomike më të shpejtë” - Georgieva, FMN: BSH ka pasur rol kyç. Lagard, BQE: Ka përjetuar ndryshime të mëdha

Nga Ledina Elezi

“Shqipëria, mes vendeve me rritjen ekonomike më të

Në kuadër të 100-vjetorit të saj, Banka e Shqipërisë ka marrë vlerësime edhe nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Qendrore Evropiane për rolin e saj në zhvillimin ekonomik të vendit.

Në një videomesazh, Kristalina Georgieva, Drejtorja e Përgjithshme e Fondit Monetar Ndërkombëtar, u shpreh se që nga themelimi i saj, Banka e Shqipërisë ka pasqyruar evoluimin e shtetit shqiptar, ndërsa listoi edhe disa nga sfidat me të cilat do të përballet vendi ynë në të ardhmen.

“Sot, Shqipëria renditet midis vendeve me rritjen ekonomike më të shpejtë në Evropë: Bravo! Testament i progresit të palëkundur dhe qëndrueshmërisë së saj gjithnjë në rritje. Në këto arritje, Banka e Shqipërisë ka luajtur një rol kyç, falë angazhimit të palëkundur ndaj politikës monetare të qëndrueshme, kuadrit rregullativ të kujdessshëm dhe transparencës institucionale. Rrugëtimi i Shqipërisë na ofron një mësim kyç: pavarësia e bankave qendrore është shumë më tepër se një teknikalitet formal. Me vështrim nga e ardhmja, Shqipëria përballet me sfida, të tilla si: fragementimi gjeopolitik në rritje, transfromimi i shpejtë digjital, roli i inteligjencës artificiale dhe zhvendosje demografike”, tha Georgieva.

Ndërkohë, Presidentja e Bankës Qendrore Evropiane, Christine Lagarde, theksoi se Banka e Shqipërisë ka përjetuar transformime të jashtëzakonshme. Sipas saj, Banka Qendrore Evropiane i ka mbështetur vendet e rajonit në anëtarësimin në SEPA dhe në rrugën drejt sistemit të pagesave të shpejta.

“Banka e Shqipërisë ka përjetuar një ndryshim të jashtëzakonshëm në 100 vitet e para të saj. Ky shekull, është mundësi ideale për të reflektuar mbi të kaluarën e bankës qendrore dhe të ardhmen e vendit. Suksesi i Bankës së Shqipërisë pasqyron suksesin më të gjerë të vendit në dekadat e fundit. Në vitin ’95, PBB-ja për frymë ishte më pak se 15% e mesatares së Bashkimit Evropian, në terma të fuqisë blerëse. Ndërsa sot ky tregues është më shumë se dyfishuar, në 35%, duke ofruar potencial për t’u rritur më tej. Standardet në rritje të jetesës janë mbështetur nga hapja gjithnjë e më e madhe e Shqipërisë ndaj tregtisë, me peshën e saj në PBB të rritur nga më pak se 1/5 në vitin 1990, në më shumë se ¾ sot. Lidhjet e ngushta të vendit me Bashkimin Evropian kanë luajtur rol në këtë sukses”, nënvizoi Lagarde.

Lagarde u shpreh se Banka Qendrore Evropiane është angazhuar në bashkëpunime teknike për forcimin e kapaciteteve institucionale të bankave qendrore dhe kontribuuar në dialogun ekonomik midis Bashkimit Evropian dhe partnerëve rajonalë.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat