Shqipëria Postuar më 23 Korrik 2025, 10:15

Shqipëria, më shumë borxh të brendshëm se në 2024/ MF: Në 6 muaj, u emetuan 232.6 miliardë lekë në tituj qeveritarë

Nga Ledina Elezi

Shqipëria, më shumë borxh të brendshëm se në 2024/

Ministria e Financave ka emetuar 30.5 miliardë lekë tituj qeveritarë gjatë muajit qershor. Shumica  e emetimeve rezultojnë në instrumente afatgjata. Konkretisht, emetimet në obligacione kapin një vlerë prej 15.5 miliardë lekësh, ndërsa ato në bono thesari arrijnë në 15 miliardë lekë.

Në qershor janë emetuar më pak tituj qeveritarë se në çdo muaj tjetër të këtij viti. Megjithatë, vlera e tyre është në përputhje me kalendarin e emetimeve të titujve qeveritarë në tregun e brendshëm. 

Totali i tregtimit në tregun sekondar, i cili përfshin shitjen e titujve ndërmjet bankave, fondeve dhe investitorëve të tjerë individualë, pasi janë blerë fillimisht nga Ministria e Financave dhe para përfundimit të afatit të tyre, arriti vlerën totale 76.8 milionë lekë.

Në krahasim me muajin qershor të vitit të kaluar, këtë qershor janë emetuar 1.6% më shumë tituj qeveritarë. Gjithsej, në gjashtë muaj janë emetuar 232.5 miliardë lekë në tituj qeveritarë, më shumë se gjysma e atyre që planifikohen të emetohen deri në fund të vitit.

Në janar-qershor 2025 janë emetuar 8.6% më shumë tituj qeveritarë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Gjatë korrikut, Ministria e Financave pritet të emetojë edhe më pak tituj qeveritarë, në total 24.8 miliardë lekë nëpërmjet 6 ankandeve, nga të cilat 7.8 miliardë lekë do të jenë në bono thesari dhe 17 miliardë lekë obligacione.

Totali i emetimeve pritet të jetë rreth 356.40 mld lekë gjatë vitit 2025. Instrumenti me emetime më të shpeshta dhe me shumë më të lartë është bono thesari 12-mujore. 

Bonot e thesarit janë instrumente financiare afatshkurtër me maturim 3, 6 dhe 12 mujor, ndërsa obligacionet janë instrumente me maturitet afatmesëm dhe afatgjatë.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat