Shqipëria Postuar më 9 Prill 2025, 13:03

“Shqipëria, me perspektivë të qëndrueshme” - Agjencia Moody’s konfirmon vlerësimin në “Ba3”

Nga Diamila Leka

“Shqipëria, me perspektivë të qëndrueshme” -

Në raportin e saj më të fundit, agjencia prestigjioze ndërkombëtare e vlerësimit Moody’s ka konfirmuar vlerësimin e Shqipërisë në “Ba3” me perspektivë “të qëndrueshme”, duke theksuar qëndrueshmërinë e profilit të kreditit të vendit, falë reformave të vazhdueshme në kuadër të procesit të integrimit në BE dhe performancën ekonomike e fiskale.

Ekonomia shqiptare ka treguar rezistencë gjatë tri goditjeve të mëdha në periudhën 2019-2023, siç ishte tërmeti, pandemia dhe kriza energjetike evropiane, duke siguruar një perspektivë të qëndrueshme afatmesme. Agjencia, në këtë kuadër parashikon që rritja e PBB-së të mbetet e fortë me 3.8% në vitin 2025 dhe 3.4% në vitin 2026.

Moody’s parashikon një reduktim të mëtejshëm dhe gradual të borxhit publik në periudhën afatmesme. Raporti i borxhit publik ndaj PBB-së u ul në 57.5% në vitin 2023 dhe pritet të ulet në 53.7% deri në vitin 2026, i mbështetur nga rritja e fortë ekonomike dhe balanca fiskale primare.

Ky përmirësim është mbështetur nga reformat fiskale, si Strategjia Afatmesme e të Ardhurave dhe nga menaxhimi më i mirë i investimeve publike. Gjithashtu, Moody’s thekson se përmes respektimit të rregullave fiskale të përcaktuara në Ligjin Organik të Buxhetit, synohet mbajtja e një balanci primare i balancuar, si dhe ulja e raportit të borxhit të përgjithshëm qeveritar ndaj PBB-së, çdo vit derisa të arrijë në nivelin 45%.

Agjencia parashikon gjithashtu se reformat për procesin e anëtarësimit në BE do të vazhdojnë dhe se zbatimi i tyre do të jetë gradual. Nga ana tjetër rreziqet e mundshme sa i takon likuiditetit qeveritar dhe sektorit bankar do të mbeten nën kontroll.

Profili i kreditit të Shqipërisë do të vazhdojë të përfitojë nga financimi i BE-së dhe zbatimi gradual i reformave të mëtejshme të lidhura me procesin e anëtarësimit. Reformat, veçanërisht ato në fushë e sundimit të ligjit, luftës kundër korrupsionit dhe llogaridhënies, ka të ngjarë të forcohet me avancimin e bisedimeve drejt procesit të anëtarësimit në BE.

Ky konfirmim i vlerësimit nga Moody’s është një tregues i rëndësishëm i progresit të Shqipërisë dhe një sinjal pozitiv për investitorët ndërkombëtarë, duke reflektuar qëndrueshmërinë ekonomike të vendit dhe menaxhimin efektiv përballë sfidave globale.



Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat