Shqipëria Postuar më 17 Gusht 2026, 10:09

Shqipëria, me avantazh në tranzicionin energjetik - Objektiva mbi detyrimet për 2030. Vendi ndër liderët e rajonit për energjinë e rinovueshme

Nga SCAN TV

Shqipëria, me avantazh në tranzicionin energjetik - Objektiva mbi

Shqipëria rezulton ndër vendet me një pozicion të favorshëm në tranzicionin energjetik drejt vitit 2030, me objektiva që në disa prej treguesve kryesorë shkojnë përtej detyrimeve të përcaktuara nga Komuniteti i Energjisë.

Raporti i ri i Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë, i cili vlerëson planet kombëtare të energjisë dhe klimës dhe progresin e vendeve drejt objektivave të vitit 2030, evidenton një nivel të lartë ambicieje për Shqipërinë.

Një prej treguesve kryesorë është pesha e energjisë së rinovueshme. Shqipëria synon që 54.4% e konsumit final bruto të energjisë në vitin 2030 të mbulohet nga burimet e rinovueshme, duke shkuar përtej objektivit prej 52% të përcaktuar për vendin.

Pozicioni shqiptar mbështetet edhe nga struktura aktuale e prodhimit të energjisë elektrike. Shqipëria është ndër të paktat ekonomi të analizuara që nuk mbështeten te qymyri për prodhimin e energjisë elektrike, ndërsa hidroenergjia vazhdon të përbëjë bazën e sistemit.

Krahas hidrocentraleve, vitet e fundit është shtuar me shpejtësi edhe një burim i dytë. Raporti e veçon Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut si vende udhëheqëse në Ballkanin Perëndimor për zhvillimin e kapaciteteve fotovoltaike.

Shqipëria është gjithashtu ndër vetëm tre Palët Kontraktuese që kanë arritur të ruajnë ose tejkalojnë nivelin e objektivit të tyre të vitit 2020 për energjinë e rinovueshme, një bazë që raporti e konsideron të rëndësishme në rrugën drejt objektivave më ambiciozë të vitit 2030.

Një tjetër objektiv ambicioz lidhet me transportin. Shqipëria synon që 35% e energjisë së përdorur në këtë sektor të jetë e rinovueshme deri në vitin 2030, niveli më i lartë i përcaktuar mes vendeve të analizuara në raport.

Edhe në eficiencën energjetike, trajektorja është pozitive. Projeksioni shqiptar për konsumin final të energjisë në vitin 2030 parashikohet në rreth 2.33 milionë ton ekuivalent nafte në vitin 2030 (Mtoe), më i ulët se kufiri prej 2.40 Mtoe i përcaktuar për vendin. Vlerësimi i progresit e vendos Shqipërinë ndër vendet që duken në rrugën e duhur drejt përmbushjes së objektivave për konsumin e energjisë.

Ambicie më e lartë se detyrimi rezulton edhe për emetimet. Shqipëria ka përcaktuar një objektiv prej 10.2 milionë tonësh CO₂ ekuivalent për vitin 2030, kundrejt kufirit prej 12 milionë tonësh të përcaktuar nga Komuniteti i Energjisë.

Raporti evidenton gjithashtu se vendi po orienton politika drejt elektrifikimit të transportit, zhvillimit të infrastrukturës së karikimit dhe mbështetjes së automjeteve elektrike, ndërsa parashikon edhe krijimin e një sistemi të tregtimit të emetimeve.

Për Shqipërinë, sfida e viteve të ardhshme zhvendoset kështu gjithnjë e më shumë nga përcaktimi i objektivave te realizimi i investimeve që do t'i bëjnë ato të arritshme.

Në total, nëntë vendet e Komunitetit të Energjisë vlerësojnë se do të nevojiten rreth 151 miliardë euro investime deri në vitin 2030, ndërsa vetëm 10–30% e financimit pritet të vijë nga buxhetet publike. Pjesa tjetër duhet të mobilizohet kryesisht nga kapitali privat

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat