Shqipëria Postuar më 4 Shkurt 2025, 13:58

“Shqipëria, lider në digjitalizimin e shërbimeve publike” - Rama: Po punojmë me Microsoft që të fusim edhe inteligjencën artificiale në prokurime

Nga Ledina Elezi

“Shqipëria, lider në digjitalizimin e shërbimeve

Digjitalizimi i shërbimeve publike është një nga pikat më të forta të Shqipërisë, ndërkohë që qeveria po punon edhe për shtrirjen e tij në prokurimet publike përmes futjes së inteligjencës artificiale.

Gjatë prezantimit të raportit për administratën publike të OECD/SIGMA, Drejtuesi i Programit, Gregor Virant, listoi disa nga gjetjet kryesore të raportit për fushën e administratës në Shqipëri.

“Pika juaj më e fortë është digjitalizimi, keni bërë një progres shumë të madh me portalin e qeverisjes elektronike, regjistrimit, ju keni tejkaluar edhe shumë vende të tjera të BE. Keni një legjislacion shumë solid për nëpunësit civilë dhe administrimin e institucioneve poltike. Keni edhe një udhëheqje të fortë politike, sepse përcaktoni një ministër specifik për administratën publike, gjë që tregon sa rëndësi i jepni kësaj. Pika e tretë e fortë është se nëpunësit tuaj civilë, 86% e nëpunësve rekomandojnë organizatën e tyre si një vend i mirë ku mund të punohet, ato janë të kënaqur.”

Rama theksoi se përveç digjitalizmit të shërbimeve publike, tashmë po punohet me kompaninë Microsoft edhe për futjen e inteligjencës artificiale në prokurime.

“Jemi duke punuar për një model të Inteligjencës Artificiale dhe aty, që edhe tek prokurimet publike, si tek shërbimet publike ne të kemi në një masë shumë të madhe instrumentin teknologjik që bën procesin. Kjo do të bëjë që prokurimet të jenë shumë herë më tepër transparente, të jenë shumë më të shpejta, të krijojnë shumë më tepër mundësi për punonjësit e administratës që të merren me çështjet e tjera, sepse vetëm të numërosh sa komisione prokurimesh ngrihen në Shqipëri dhe sa punonjës në të gjitha nivelet futen nëpër komisione prokurimi, janë një ushtri e tërë. Po punojmë me Microsoft në mënyrë intensive. Kemi siguruar që të drejtën e autorit do ta ketë qeveria shqiptare.”

Ndërkohë, Ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni theksoi se së shpejti do të rishikohet i tërë kuadri ligjor që rregullon administratn publike.

"Do të paraqesim brenda muajit mars për konsultim publik ndryshime në dy projektligje hartuar me asistencën e projektit EU4GG, përkatësisht: Ligjin nr. 152/2013 "Për Nëpunësin Civil" dhe Ligjin nr. 90/2012 "Për Organizimin dhe Funksionimin e Administratës Shtetërore. Ku është rikonceptuar jo vetëm funksionimi i aparatit adminsitrativ, optimizimi i proceseve të punës në administrate, si dhe kontroll dhe monitorim më i strukturar i mënyrës se si perfomon një institucion, jo vetëm një zyrtar publik," u shpreh Pirdeni.

Aktualisht, në fazën e konsultimit publik është dhe Strategjia Ndërsektoriale për Reformën në Administratën Publike 2024-2030. 



Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat