Shqipëria Postuar më 29 Maj 2026, 12:03

Shqipëria lehtëson njohjen e diplomave të huaja/ Procedurat përshpejtohen për vendet e BE-së dhe SHBA-së

Nga Diamila Leka

Shqipëria lehtëson njohjen e diplomave të huaja/ Procedurat

Njohja e diplomave të fituara jashtë vendit pritet të bëhet më e shpejtë dhe me më pak procedura burokratike. Ministria e Arsimit ka miratuar ndryshime në udhëzimin që rregullon njohjen dhe njësimin e diplomave, certifikatave profesionale, gradave shkencore dhe titujve akademikë të lëshuar nga institucione të huaja të arsimit të lartë.

Një nga ndryshimet kryesore lidhet me afatet e shqyrtimit. Sipas udhëzimit të ri, diplomat dhe certifikatat profesionale të fituara në vendet e Bashkimit Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretërinë e Bashkuar, Kanadanë, Japoninë, Norvegjinë, Izraelin, Zvicrën, Islandën, Australinë dhe Turqinë do të njihen brenda 5 ditëve pune, në rast se dokumentacioni është i plotë dhe i rregullt.

Ndryshimet parashikojnë gjithashtu lehtësim të procedurave të verifikimit. Qendra e Shërbimeve Arsimore do të kërkojë konfirmime shtesë nga universitetet e huaja vetëm në rastet kur ekziston dyshim i arsyeshëm për vlefshmërinë e dokumenteve. Për diplomat e lëshuara nga institucione të njohura në vendet e sipërpërmendura, verifikimet shtesë do të shmangen nëse dokumentacioni rezulton i rregullt.

Një tjetër risi ka të bëjë me aplikantët që nuk kanë mundur të plotësojnë dokumentacionin në kohë. Në rastet kur dosja është arkivuar për shkak të mungesës së dokumenteve, qytetarët do të kenë të drejtë të riaplikojnë pa kryer një pagesë të re pranë Qendrës së Shërbimeve Arsimore. Po ashtu, pas njohjes së diplomës, llogaritja e mesatares së notave nuk do të kryhet automatikisht, por vetëm me kërkesë të aplikantit dhe brenda një afati prej 5 ditësh pune. Udhëzimi sjell edhe ndryshime në mënyrën e organizimit të komisioneve që shqyrtojnë gradat shkencore “Doktor” dhe titujt akademikë të fituar jashtë vendit, ndërsa vendimet dhe vërtetimet përkatëse do të lëshohen në mënyrë elektronike nga QSHA.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat