Shqipëria Postuar më 5 Shkurt 2026, 10:08

Shqipëria krijon vizë të posaçme për punëtorët e shtëpisë - Legalizon punësimin e të huajve me leje unike punë dhe qëndrim

Nga SCAN TV

Shqipëria krijon vizë të posaçme për

Punësimi i punëtorëve të shtëpisë në Shqipëri hyn për herë të parë në një kornizë të qartë ligjore. Qeveria ka miratuar ndryshime në rregullat për hyrjen dhe qëndrimin e të huajve, duke krijuar një kategori të posaçme për “punëtor shtëpie”, me vizë specifike dhe leje unike që bashkon qëndrimin me të drejtën e punës.

Në vitet e fundit, gjithnjë e më shumë familje shqiptare, sidomos në Tiranë dhe qytetet e mëdha kanë punësuar ndihmës shtëpiake dhe kujdestarë, kryesisht nga Filipinet, për kujdesin e fëmijëve apo të moshuarve. Ky treg ka funksionuar deri tani në mënyrë pjesërisht informale, shpesh përmes ndërmjetësve ose marrëveshjeve private, pa një status të qartë ligjor për punëmarrësin.

Sipas projektvendimit, të huajt që vijnë për të punuar si punëtorë shtëpie do të aplikojnë për vizë tip D/PSH, e shoqëruar me dokumente të detyrueshme: regjistrimin e punëdhënësit në QKB dhe tatime, miratimin online për punësim nga AKPA dhe kontratë pune, ku përcaktohen qartë afati dhe natyra e punës

Paralelisht, ligji parashikon edhe lejen unike për punëtor shtëpie, që u mundëson të huajve të kenë me një aplikim të vetëm si lejen e qëndrimit, ashtu edhe të drejtën e punës. Për këtë leje kërkohet dokumentacion formal: vërtetim i regjistrimit në tatime të punëdhënësit, miratim nga AKPA dhe kontratë pune sipas Kodit të Punës, me përshkrim të qartë të marrëdhënies së punës

Një tjetër risi është integrimi i kësaj kategorie drejtpërdrejt në formularët elektronikë të e-Albania. Punëdhënësi dhe punëmarrësi duhet të deklarojnë online të dhëna të detajuara mbi biznesin, pozicionin e punës, pagën mujore bruto, si edhe afatin e kontratës – duke e bërë procesin plotësisht të gjurmueshëm

Në thelb, marrëdhënia mes familjes pritëse dhe punëtorit të huaj kalon nga zona gri në një marrëdhënie të kontraktuar ligjërisht, me kontroll shtetëror të punëdhënësit dhe kushte të përcaktuara qartë. Autoritetet synojnë kështu të ulin punën në të zezë, të rrisin sigurinë për familjet dhe të garantojnë më shumë mbrojtje për vetë punëtorët, në një sektor që po rritet paralelisht me nevojat sociale të familjeve shqiptare.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat