Shqipëria Postuar më 14 Shkurt 2026, 11:15

Shqipëria humb 2.5% të PBB nga fatkeqësitë natyrore - Studimi/ 80% qytete dhe 61% fshatra, pa fonde

Nga Alida Lula

Shqipëria humb 2.5% të PBB nga fatkeqësitë natyrore -

Në Shqipëri, përmbytjet nuk janë më të rralla, por kërcënim i përsëritur që prek qytete e fshatra, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme dhe pasiguri për banorët. Një studim i ri i publikuar në 'Geographica Pannonica', tregon se shumica e shqiptarëve nuk kanë mundësi financiare për të përballuar humbjet. 

61% në fshatra dhe 80% në qytete, deklarojnë mungesë kapaciteti financiar.

Në shkallë globale, Shqipëria renditet ndër vendet më të goditura ekonomikisht nga fatkeqësitë natyrore. Sipas Bankës Botërore, humbjet mesatare vjetore arrijnë rreth 2.5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, ndërsa gjatë periudhës 1995–2015, rreth 30 mijë persona në vit dhe mbi 95% e bashkive, janë prekur nga fatkeqësi të ndryshme natyrore. Megjithatë, vendi ende nuk ka një sistem të plotë monitorimi dhe parashikimi të rreziqeve, dhe qytetarët kanë pak sigurim ose mbështetje. Studimi i fundit,  përfshiu katër zona të prekura, dy urbane (Tiranë dhe Fier) dhe dy rurale (Dajç dhe Novoselë). Rezultatet,  treguan kontrast, ku banorët e qyteteve janë më pak tolerantë ndaj rrezikut, por edhe më pak të përgatitur. Ndërsa ata ruralë, shfaqin “qëndrueshmëri të heshtur”, të bazuar në përvojën dhe vetëorganizim. Banorët ruralë ndërmarrin masa praktike, si sigurimi i rezervave ushqimore, ndërsa ata në qytet, e shohin rrezikun më larg. 

Në të gjitha zonat, pritshmëritë ndaj shtetit mbeten të larta, shumica presin mbështetje financiare pas përmbytjeve dhe disa janë pro masave paraprake, kryesisht kufizim të ndërtimeve në zona të rrezikuara. Roli i kulturës kombëtare, si perceptimi se “në dorë të Zotit” janë ngjarjet, mbetet faktor kyç në qasjen ndaj fenomeneve kryesisht përmbytjeve.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat