Shqipëria Postuar më 26 Maj 2025, 13:18

Shqipëria, gati për implementimin e projektit “B-Ready” - QKB, bashkëpunim me BB. Cilat janë përfitimet për bizneset në vend?

Nga Elisabeta Dosku

Shqipëria, gati për implementimin e projektit “B-Ready” -

Shqipëria do të aplikojë së shpejti projektin “B-Ready”,  një iniciativë që synon të përmirësojnë ndjeshëm klimën e të bërit biznes në vend.

“B-Ready” është një iniciativë e Bankës Botërore e cila synon të mbështesë vendet në identifikimin dhe adresimin e sfidave që pengojnë zhvillimin e biznesit. Projekti fokusohet në vlerësimin e politikave dhe rregulloreve ekzistuese, si dhe në propozimin e reformave dhe ndërhyrjeve të nevojshme për të krijuar një ambient më të favorshëm për investime dhe rritje ekonomike. Një nga komponentët kyç të projektit është mbledhja e të dhënave të detajuara për të krijuar indikatorë të qartë mbi performancën e mjedisit të biznesit në çdo vend pjesëmarrës.

Qendra Kombëtare e Biznesit zhvilloi një takim me përfaqësues të Bankës Botërore, në kuadër të bashkëpunimit për projektin “B-Ready”. Gjatë takimit, përfaqësues të QKB-së dhe ekspertë të Bankës Botërore diskutuan hapat konkretë për implementimin e projektit, si dhe rëndësinë e mbledhjes dhe analizës së të dhënave për të përmirësuar indikatorët dhe proceset e biznesit.

Përmes këtij partneriteti, synohet të integrohen praktikat më të mira ndërkombëtare, duke sjellë një qasje më të avancuar në menaxhimin dhe mbështetjen e sipërmarrjeve.

Implementimi i projektit “B-Ready” pritet të sjellë përfitime të rëndësishme për bizneset shqiptare. Transparenca në shërbimet publike do të rritet, duke krijuar një ambient më të besueshëm dhe të qëndrueshëm për sipërmarrësit. Gjithashtu, projekti synon të përmirësojë aksesin në financa dhe tregje, duke ndihmuar bizneset të rriten dhe të konkurrojnë më mirë në nivel lokal dhe ndërkombëtar.

Ky bashkëpunim përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt transformimit të mjedisit të biznesit në Shqipëri. Përmes reformave dhe përmirësimeve të vazhdueshme, synohet krijimi i një mjedisi më dinamik, i cili inkurajon investimet dhe mbështet zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik.

 

Mendimi juaj

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat