Shqipëria Postuar më 22 Tetor 2025, 11:39

Shqipëria e Kosova, nuk paguajnë për sigurimin e jetës - Vetëm 9% të të gjitha primeve të shkruara bruto. Xprimm i rendit të fundit në rajon

Nga Ledina Elezi

Shqipëria e Kosova, nuk paguajnë për sigurimin e jetës -

Shqiptarët, qoftë në Shqipëri apo Kosovë, vijojnë të sigurojnë më pak jetën e tyre në të gjithë rajonin e Evropës Qendrore dhe Lindore. Sipas raportit më të fundit të platformës ndërkombëtare për të dhënat e industrisë së sigurimeve, Xprimm, vendi ynë bashkë me Kosovën renditen të fundit për sa i përket raportit dhe peshës që zë sigurimi i jetës ndaj llojeve të tjera të sigurimit.

Jeta zë vetëm 9% të të gjitha primeve të shkruara bruto në Shqipëri, ndërsa thyejmë rekord për sa i përket sigurimit të detyrueshëm motorik me MTPL të brendshme. Ky produkt zë peshën më të madhe në tregun e sigurimeve, duke dominuar me gati 60% ndaj produkteve të tjera të sigurimit.

Pavarësisht kësaj, Shqipëria bashkë me Hungarinë kanë pasur rritjen më të madhe të primeve të shkruara bruto për sigurimin e jetës në gjysmën e parë të këtij viti, krahasuar me gjysmën e parë të vitit të kaluar. Pagesat për sigurimin e jetës janë rritur me thuajse 15%, duke kapur një vlerë prej 11.7 milionë eurosh nga 10.2 milionë euro që ishin një vit më parë.

Kjo tregon se pavarësisht raportit të ulët që sigurimi i jetës zë ndaj sigurimit të pronës apo makinës, ajo po rritet në mënyrë të qëndrueshme nga viti në vit.

Nga ana tjetër, për sa i takon dëmshpërblimeve, Shqipëria renditet e katërta në Evropën Qendrore dhe Lindore për rritjen me 16% të dëmeve të paguara.

Të dhënat e publikuara nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare tregojnë se sigurimi i jetës së debitorit është produkti më i kërkuar kur vjen çështja te sigurimi i jetës. Në 8 qarqe të vendit, ky është i vetmi lloj sigurimi për të cilin qytetarët paguajnë. Kjo do të thotë se sigurimi i jetës vijon të bëhet vetëm në rastet kur banka jep kredi dhe e ka kusht që kredimarrësi të sigurojë jetën dhe pronën.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat