Shqipëria Postuar më 9 Shtator 2025, 14:02

“Shqipëria, e integruar në BE për pagesat” - Sejko: SEPA, ndikim në imazhin e vendit dhe rritjen e investimeve të huaja

Nga Ledina Elezi

“Shqipëria, e integruar në BE për pagesat” - Sejko:

Me anëtarësimin në Zonën Unike të Pagesave në Euro (SEPA), Shqipëria konsiderohet tashmë e integruar në Bashkimin Evropian në aspektin e pagesave. Kështu është shprehur Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko në Konferencën e Ambasadorëve, i cili tha ndër të tjera se integrimi në SEPA do të sigurojë përfitime për tregtinë, turizmin apo remitancat, por do të shërbejë edhe si një sinjal i fortë për investitorët e huaj.

“Data 7 tetor do të jetë dita kur sistemi bankar do të jetë funksional dhe do të fillojë kryerjen e pagesave, transfertave në SEPA. Kjo është një arritje e madhe, pasi kjo e konsideron Shqipërinë të integruar në Bashkimin Evropian në aspektin e pagesave në fushën financiare, pra është një hap mjaft i madh, mjaft i mirë për Shqipërinë, gjë që ka efekte të konsiderueshme, jo vetëm në kursimin konkret të parave për ekonominë nga ulja e komisioneve, komisonet do të jenë të paktën 5 herë më të ulëta krahasuar me komisionet e deritanishme, qoftë për individët qoftë për bizneset, por gjithashtu është një efekt mjaft pozitiv në imazhin e vendit dhe në rritjen e investimeve të huaja, pasi nëse një vend është anëtar i SEPA-s, kjo rrit besueshmërinë  e vendit për të gjithë investitorët e huaj të cilët kërkojnë të vijnë në Shqipëri”, theksoi Guvernatori.

Ministrja për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj, theksoi se Shqipëria ka tashmë si avantazh konkurrues ekonominë e dijes, ku aktualisht mbajmë një nivel të lartë të diplomuarish në teknologji informacioni dhe janë mbështetur një numër i madh start up-esh.

“Shqipëria duhet të bëhet një vend që të jetë niche për ofrimin e rech tech-ut, pra për ofrimin e shërbimeve digjitale të qeverisjes dhe besoj se i kemi të gjitha kapacitetet për ta bërë këtë, duke qenë se jemi specializuar në krijimin e produkteve të tilla. Nëse qeveria ka investuar shumë në digjitalizim, informatizim dhe rritjen e eficiencës. Biznesi ka akoma punë për të bërë, ne gjatë viteve në vijim do të punojmë shumë që edhe biznesi të digjitalizohet për të rritur eficiencën, për të rritur produktivitetin dhe konkurrueshmërinë në tregjet evropiane, me qëllim që të prodhojmë me kosto më të ulëta duke përdorur metodat digjitale të prodhimit dhe kjo do të jetë një nga fokuset e qeverisë në 4 vitet e ardhshme”, tha Ibrahimaj.

Konferenca e Ambasadorëve zhvillohet për 3 ditë me radhë dhe marrin pjesë ambasadorët shqiptarë të akredituar nëpër botë, për të diskutuar mbi integrimin evropian të Shqipërisë dhe të rajonit, diplomacinë ekonomike, si edhe çështje të sigurisë rajonale e globale.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat