Shqipëria Postuar më 11 Nëntor 2025, 13:24

Shqipëria drejt turizmit “inteligjent” - Gonxhja: Inteligjencë Artificiale për sektor të qëndrueshëm

Nga Diamila Leka

Shqipëria drejt turizmit “inteligjent” - Gonxhja:

Ministri i Kulturës, Turizmit dhe Sporteve Blendi Gonxhja, përfaqësoi Shqipërinë si një nga 31 folësit e përzgjedhur nga 160 vendet pjesëmarrëse në Asamblenë e Përgjithshme të UN Tourism, e zhvilluar në Riad, Arabinë Saudite.

Në fjalën e tij, ministri Gonxhja theksoi rolin transformues të Inteligjencës Artificiale në turizmin global, duke theksuar përpjekjet e Shqipërisë për të përmirësuar përvojën e vizitorëve, për të zgjatur sezonin turistik dhe për të diversifikuar ofertën turistike, duke përfshirë zonat rurale dhe komunitetet lokale.

Ai prezantoi Strategjinë e Specializimit Inteligjent (S3) 2025–2030, e cila e vendos Turizmin e Qëndrueshëm dhe të Diversifikuar si një nga fushat kryesore për zhvillim dhe inovacion. Strategjia fokusohet në përmirësimin e cilësisë së përvojës së vizitorit dhe zgjatjen e sezonit turistik, diversifikimin e produkteve turistike përtej zonave bregdetare, duke fuqizuar zonat rurale, integrimin e teknologjisë, trashëgimisë kulturore dhe kreativitetit në një sektor ndërdisiplinor.

Një komponent kyç i strategjisë është miratimi i Standardeve Ndërkombëtare të Qëndrueshmërisë dhe krijimi i destinacioneve “inteligjente”, të përditësuara nga të dhëna në kohë reale për menaxhimin e fluksit të vizitorëve dhe mbrojtjen e burimeve natyrore. Ministri Gonxhja gjithashtu theksoi rolin e Inteligjencës Artificiale për të kalur nga “volumi i turizmit” në “turizmin cilësor”, duke mundësuar menaxhimin e të dhënave, ruajtjen e trashëgimisë natyrore dhe kulturore, luftimin e informalitetit dhe rritjen e performancës ekonomike të sektorit.

Por çfarë është parashikuar në projektbuxhetin e vitit 2026 përsa i përket zhvillimit të turizmit. Referuar projektbuxhetit, për tre vitet e ardhshme do të investohet 270 milionë lekë përsa i përket zhvillimit të turizmit, përkatësisht nga 90 milionë lekë për çdo vit.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat