Shqipëria Postuar më 11 Korrik 2025, 10:07

Shqipëria do të prodhojë municione - Qeveria miraton kriteret. “KAYO”, marrëveshje me privatët për prodhimin

Nga Ernilda Luzi

Shqipëria do të prodhojë municione - Qeveria miraton kriteret.

Këshilli i Ministrave miratoi kushtet e negocimit të shoqërisë shtetërore “KAYO”, sh.a., me shoqëri private për prodhimin dhe tregtimin e municioneve të kalibrave të vegjël e të mesëm.

Ky vendim ka për objekt miratimin e kushteve të negocimit të shoqërisë “KAYO”, sh.a., me shoqëri private me qëllim krijimin e një shoqërie aksionare të përbashkët, për prodhimin dhe tregtimin e municioneve të kalibrave të vegjël e të mesëm, të regjistruar në Republikën e Shqipërisë, në përputhje me legjislacionin në fuqi për shoqëritë tregtare dhe sipas kushteve të përcaktuara në këtë vendim.

Shoqëria “KAYO”, do të negociojë dhe do të pranojë një pjesëmarrje jo më të ulët se 20% të aksioneve në shoqërinë e përbashkët, që do të krijojë me shoqëri private.

Referuar vendimit, shoqëria “KAYO”, do të kontribuojë në entitetin e ri tregtar me pasuri të paluajtshme, në masën jo më pak se 20 000 m2, që do t’i jepen në përdorim shoqërisë së përbashkët dhe pa të drejtë tjetërsimi.

Shoqëria “KAYO”, sh.a., në çdo rast siguron nga subjekti, me të cilin negocion një vlerë investimi jo më të ulët se 60 milionë euro në harkun kohor të  3 vjetëve; punësimin e jo më pak se 80 (tetëdhjetë) punonjësve në harkun kohor të  3 (tre) vjetëve; ofrimin e linjave teknologjike të prodhimit të municioneve të kalibrave të vegjël e të mesëm, sipas nevojave operacionale të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë dhe strukturave të tjera të sigurisë; sigurimin e rrjetit të shpërndarjes së produkteve, në rast eksporti.

Po kështu, objekti i aktivitetit të shoqërisë tregtare që do të krijohet, do të përmbajë prodhimin dhe tregtimin e municioneve për Forcat e Armatosura, si dhe municionet për përdorim nga strukturat e tjera të sigurisë.

Nga ana tjetër, administratori i shoqërisë që do të krijohet nga dy shoqëritë e sipërpërmendura, zgjidhet me dakordërsinë e shoqërisë “KAYO”, sh.a.

 

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat