Shqipëria Postuar më 28 Gusht 2025, 11:09

Shqipëria 3-fishon shpenzimet në mbrojtje krahasuar me 2014 - Raporti i NATO-s/54 mld lekë investime në 2025, sa 2.01% e PBB-së

Nga Lidion Kulla

Shqipëria 3-fishon shpenzimet në mbrojtje krahasuar me 2014 - Raporti

Shqipëria po rrit gjithmonë e më shumë shpenzimet në sektorin e mbrojtjes, si pjesë e angazhimit në NATO. Aleanca e Atlantikut të Veriut ka publikuar raportin në lidhje me shpenzimet e vendeve anëtare për periudhën 2014-2025, ku bie në sy një rritje e ndjeshme e investimeve, sidomos pas vitit 2022, kur Rusia nisi pushtimin në shkallë të gjerë të Ukrainës.

Siç duket edhe nga grafiku, në tre vitet e fundit, shpenzimet për mbrojtjen nga të gjitha vendet anëtare të marra së bashku janë rritur me 9.3% në 2023, 18.6% në 2024 dhe me 15.9% në vitin 2025.

NATO sqaron se shifrat për 2024 dhe 2025 janë vlerësime, që pritet të realizohet nga vendet anëtare. Gjithashtu, edhe numri i vendeve që kanë tejkaluar objektivin e shpenzimeve prej 2% në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto është rritur në 31, gjatë këtij viti, nga 32 anëtare që janë në total.

Vetëm Islanda, e cila nuk ka një ushtri të armatosur dhe për rrjedhojë nuk ka një buxhet për mbrojtjen, nuk është përfshirë në numrin e aleatëve që plotësojnë objektivin prej 2% të PBB.

Përsa i përket vendit tonë, siç duket edhe nga tabela, shpenzimet për mbrojtjen janë thuajse 3-fishuar në vitin 2025, krahasuar me vitin 2014. Këtë vit, shpenzimet e qeverisë shqiptare arrijnë në rreth 54 miliardë lekë, nga rreth 18.7 miliardë lekë që ishin mbi 1 dekadë më parë.

Grafiku në vijim tregon gjithashtu, se për herë të parë gjatë 16 viteve si anëtare në NATO, Shqipëria e tejkaloi objektivin prej 2%, vetëm në 2025-ës, duke shpenzuar për mbrojtjen 2.01% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Megjithatë, ky është një objektiv i përkohshëm, pasi deri në vitin 2035 vendet anëtare të Aleancës së Atlantikut të Veriut do të duhet të shpenzojnë 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, nga të cilat 3.5% do të shkojnë ekskluzivisht për mbrojtjen, përfshirë armët dhe trupat ushtarake, ndërsa pjesa tjetër prej 1.5% do të fokusohet në investime të lidhura me sigurinë - si adaptimi i rrugëve, urave dhe porteve - për pajisje ushtarake dhe në sigurinë kibernetike.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat