Shqipëria Postuar më 14 Nëntor 2025, 12:00

Shqipëri-Itali, ndërtim i anijeve ushtarake 800 ton - Zbardhet marrëveshja/Sipërmarrje e përbashkët në Pashaliman. Si do të ndahen detyrat?

Nga Ledina Elezi

Shqipëri-Itali, ndërtim i anijeve ushtarake 800 ton - Zbardhet

Kompania shtetërore shqiptare për prodhimin e armëve, KAYO dhe ajo italiane për prodhimin e anijeve detare civile dhe ushtarake Fincantieri, do të krijojnë një sipërmarrje të përbashkët në Pashaliman të Vlorës, për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e anijeve detare ushtarake.

Në samitin ndërqeveritar midis Italisë dhe Shqipërisë, të mbajtur në Romë dhe të kryesuar nga Kryeministrja italiane Giorgia Meloni dhe Kryeministri shqiptar Edi Rama, Fincantieri dhe KAYO nënshkruan një Memorandum Mirëkuptimi.

Në ceremoninë e nënshkrimit morën pjesë Pierroberto Folgiero, Drejtor Ekzekutiv i Fincantieri dhe Ardi Veliu, Drejtor Ekzekutiv i Kayo. Marrëveshja parashikon krijimin e një sipërmarrje të përbashkët që do të jetë përgjegjëse për kontratat e ndërtimit dhe mirëmbajtjes së anijeve në tregun shqiptar. Për projektet e destinuara për eksport, sipërmarrja do të jetë në gjendje të ndërtojë anije deri në 80 metra gjatësi dhe 800 ton zhvendosje. Në këto raste, Fincantieri do të marrë përsipër drejtimin e projektit si kontraktori kryesor, ndërsa ndërtimi i tyre do të realizohet nga kompania e përbashkët në Shqipëri.

Sipas marrëveshjes, KAYO do ta vërë në dispozicion kantierin detar Pashaliman në Vlorë dhe do të investojë në përmirësimin e infrastrukturës së tij, ndërsa Fincantieri do të mbështesë modernizimin e procesit të prodhimit, do të ofrojë ekspertizë operacionale, trajnim dhe njohuri inxhinierike. Fincantieri gjithashtu do të ofrojë paketa materiale, duke konsoliduar kështu rolin e saj si partneri kryesor teknologjik.

Pierroberto Folgiero, CEO dhe Drejtor Menaxhues i Fincantieri, u shpreh se marrëveshja e shënon një moment të ri themelor në bashkëpunimin midis Italisë dhe Shqipërisë. Duke kombinuar ekspertizën dhe burimet e dy kompanive, prezantohet një projekt që forcon zinxhirin e furnizimit ushtarak detar, nxit zhvillimin ekonomik dhe infrastrukturor dhe hap perspektiva të reja për rritje ndërkombëtare. Është një shembull i prekshëm se si sinergjia midis kompanive dhe vendeve mund të gjenerojë vlerë, siguri dhe të ardhme tha ai.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat