Shqipëria Postuar më 4 Gusht 2026, 10:50

Shpërndahen 6 milionë euro për fëmijët nën 18 vjeç - Rreth 40 mijë tatimpagues marrin paratë e DIVA, tatimet vijojnë rimbursimin

Nga Elisabeta Dosku

Shpërndahen 6 milionë euro për fëmijët nën 18

Rreth 40 mijë të punësuar në të gjithë vendin të cilët kanë aplikuar për rimbursim përmes Deklaratës Individuale Vjetore të të Ardhurave, DIVA 2025, janë rimbursuar totalisht për tepricën kreditore.

Administrata tatimore bën me dije se deri në fund të korrikut ka hedhur në llogaritë bankare paratë për 39.965 tatimpagues të cilët kanë rezultuar me tepricë kreditore dhe kanë aplikuar për përfitim.

Vlera totale e tatimit të mbipaguar dhe që është rimbursuar për këta individë është 597.8 milionë lekë apo rreth 6 milionë euro.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, në total janë dorëzuar 164 263 deklarata, ose 25% më shumë se në vitin 2025 dhe janë 77.077 përfitues nga skema për fëmijët nën 18 vjeç. 1.4 miliard lekë apo rreth 15 milionë euro është shuma totale e gjeneruar nga sistemi për rimbursim për individët me tepricë kreditore.

Tatimpaguesit nuk kanë një afat të përcaktuar për kryerjen e kërkesës dhe përfitimin e rimbursimit, si dhe teprica kreditore nuk digjet dhe mund të tërhiqet edhe si dy vite apo më shumë së bashku.  

Por kush përfiton rimbursim nga DIVA2025? Individët e punësuar me të ardhura 1.2 milionë lekë dhe mbi këtë prag do të kenë të drejtë përfitojnë zbritje tatimore për fëmijët në ngarkim, nëse kanë dorëzuar Deklaratës Individuale Vjetore të të Ardhurave, DIVA 2025 dhe kanë aplikuar për rimbursim përmes e-filing.

Ndërsa të punësuarit me të ardhura nën 1.2 milionë lekë në vit të cilët edhe pse nuk e kanë detyrim ligjor, por kanë plotësuar vullnetarisht DIVA-n,  kanë të drejtën, që përveç fëmijëve në ngarkim të përfitojnë dhe zbritje tatimore për shpenzimet arsimore.

Shpenzimet arsimore që kanë faturë të fiskalizuar është dokumenti i vetëm ligjor për njohjen e shpenzimeve.  Dokumente mbështetëse mund të jenë kontratat nga institucionet përkatëse.

Ky mekanizëm është një lehtësi fiskale që vjen për herë të parë përmes deklarimit të DIVA 2025, duke krijuar mundësi reale për përfitim nga deklarimi korrekt i të ardhurave, në ndihmë të qytetarëve dhe në funksion të një administrate tatimore më efikase dhe më pranë tyre.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat