Shqipëria Postuar më 16 Tetor 2025, 13:24

“Shkundet” lista e pagave të bizneseve - Antiinformaliteti, rritet tatimi i paguar. 631 milionë euro në 9 muaj

Nga Elisabeta Dosku

“Shkundet” lista e pagave të bizneseve - Antiinformaliteti,

Lufta ndaj informalitetit e nisur prej një viti nga administrata tatimore fokusuar në nëndeklarimin e pagave dhe evazionin fiskal, ka rritur ndjeshëm të ardhurat në buxhetin e shtetit.

Të dhënave të Ministrisë së Financave tregojnë se tatimi i paguar mbi pagat që marrin punonjësit është rritur ndjeshëm përgjatë 9 muajve të parë të këtij vitit, krahasuar me një vit më parë. Konkretisht nga ky zë janë mbledhur rreth 63.1 miliardë lekë apo 631 milionë euro me një kapërcim prej 133 milionë euro krahasuar me një vit më parë, duke regjistruar rritjen më të lartë në përqindje në raport me zërat e tjerë dhe 62 milionë euro në raport me planifikimin që kishte bërë Ministria e Financave për 9 mujorin.

Ndërsa në një dekadë, të ardhurat nga ky zë janë trefishuar.

Në zërin e tatimit mbi të ardhurat personale kontributin më të lartë e jep tatimi mbi pagat e punonjësve në sektorin privat dhe publik, e ndjekur nga tatimi i paguar nga shitja e pasurive të paluajtshme i cili është në nivelin 15 për qind si dhe tatimi mbi qiratë. Kjo tregon që veç pagave, ecuri pozitive ka pasur edhe sektori i pasurive të paluajtshme dhe finalizimi i transaksioneve, si dhe rritja e çmimit të qirave kryesisht në kryeqytet ka bërë që për ato qira të deklaruara, pagesa në tatime të jetë më e lartë. Po ashtu një hapësire të konsiderueshme zë tatimi mbi të ardhurat nga dividendët dhe si dhe tatimi mbi të ardhurat nga interesat.

Ndërkohë që dyfishimi i numrit të punonjësve që plotësuan gjatë këtij viti Deklaratën Individuale të të Ardhurave, për shkak të uljes së pragut të deklarimit në nivelin e të ardhurave në 1.2 milionë lekë në vit, ka pasur ndikim të konsiderueshëm.

Një zë tjetër që reflekton antiinfomalitetin, lidhet me të ardhurat e gjeneruara nga tatim fitimi.  Në total në 9 muaj janë arkëtuar 45.3 miliard lekë apo 453 milionë euro, me një rritje prej 20 milionë euro në raport me një vit më parë.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat