Shqipëria Postuar më 9 Tetor 2025, 13:10

Shkodra drejt një identiteti të ri - Bashkia shpall tender për brandimin e territorit

Nga Diamila Leka

Shkodra drejt një identiteti të ri - Bashkia shpall tender për

Bashkia Shkodër ka nisur një proces të ri në funksion të zhvillimit strategjik dhe promovimit të territorit të saj. Bëhet fjalë për hartimin e Planit të Brandimit të Territorit, një projekt që synon të krijojë një identitet të ri, të unifikuar dhe profesional për qytetin, duke përfshirë si aspektet vizuale, ashtu edhe ato të komunikimit institucional.

Ky plan do të shërbejë si një udhërrëfyes për të gjitha mënyrat se si Bashkia Shkodër do të prezantohet brenda dhe jashtë vendit, nga materialet zyrtare dhe prezantimet institucionale, deri te mesazhet që përcillen në takime ndërkombëtare apo përmes platformave online.

Fondi limit për realizimin e këtij shërbimi është përcaktuar në 1 milion e 82 mijë e 833 lekë, dhe përfshin disa komponentë të rëndësishëm. Ndër to, spikat rikonceptimi i logos zyrtare të Bashkisë, zhvillimi i një slogani përfaqësues, përcaktimi i paletës grafike dhe vizuale, si dhe krijimi i template-ve standarde për komunikimin zyrtar në gjuhën shqipe dhe angleze.

Në fokus të projektit është gjithashtu edhe faqja zyrtare e internetit e Bashkisë Shkodër, e cila do të ridizenjohet plotësisht në përputhje me identitetin e ri vizual dhe me standardet më të fundit të komunikimit publik.

Një element me rëndësi është edhe paketa “Invest in Shkodër”, që do të përgatitet në formën e një broshure dhe prezantimi profesional, të gatshëm për t’u përdorur në takime me investitorë dhe forume ndërkombëtare.

Kjo paketë do të përmbledhë potencialet kryesore të territorit për investime, si turizmi, bujqësia, industria e lehtë apo teknologjia, duke u shoqëruar me të dhëna statistikore dhe informacione strategjike.

Në përmbyllje të këtij procesi, do të organizohet një sesion informues me grupet e interesit, ku do të prezantohet plani përfundimtar dhe mënyrat e zbatimit të tij në nivel lokal dhe rajonal.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat